Në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e profesionistëve shëndetësor kosovar për luftën e tyre kundër koronavirusit dhe mirënjohjes për mantelbardhët që kanë humbur jetën gjatë ballafaqimit me COVID-19, Ministria e Shëndetësisë dhe Posta e Kosovës lansuan sot pullën postare dedikuar mantelbardhëve.
“Vlerësimi për mjekët dhe infermierët që humbën jetën në ballafaqim me virusin vdekjeprurës, është më e pakta që mund të bëjmë për ta, sepse, me veprën e tyre në krye të detyrës, dëshmuan se janë heronjtë e ditëve tona”, tha ministri Armend Zemaj.
“Në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e mjekëve dhe infermierëve human, është e jona t’i përkujtojmë dhe vlerësojmë, si shembull të përgjegjësisë ndaj shëndetit të qytetarëve, duke lënë një trashëgimi për gjeneratat. Kjo mirënjohje, sot po bëhet edhe nëpërmjet pullës postare”, theksoi ministri Zemaj.
Kurse, ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi, tha se pulla postare është një mirënjohje për mantelbardhët dhe kontributin e tyre të madh për ruajtjen e shëndetin publik të popullatës./KosovaPost/