Ministri i Punës dhe i Transfereve, Hekuran Murati, ka vizituar sot portin e Durrësit së bashku me Ministren e Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë, Delina Ibrahimaj.
Ata kanë qenë të shoqëruar edhe nga drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu dhe drejtori i Doganës së Shqipërisë, Genti Gazheli. Arsye e kësaj vizite ka qenë fillimi i zhdoganimit të mallrave në këtë port e që destinacion e kanë Kosovën. Ministri Murati e ka vlerësuar këtë si një arritje të madhe për Kosovën, e cila njëherësh ia mundëson ekonomisë vendore qasjen në det.
“Sa herë vijmë në Shqipëri është kënaqësi, ne jemi një komb, e aq më tepër shtohet kënaqësia kur vijmë edhe në kapacitet zyrtarë dhe për punë të mira siç është kjo e heqjes së barrierave që na ndajnë”, ka theksuar Murati.
Ai ka thënë se fillimi i zhdoganimit të mallrave në portin e Durrësit është vetëm një materializim i punës së bërë tash e sa muaj në prapavijë nga të dyja ekipet: nga Dogana e Shqipërisë dhe Dogana e Kosovës.
Murati ka thënë që Dogana e Kosovës që nga viti 2019 ka qenë prezente në portin e Durrësit, por jo me kapacitetin e tanishëm.
“Dogana e Kosovës që nga viti 2019 ka qenë prezente në portin e Durrësit, mirëpo deri tani është bërë vetëm regjistrimi për hyrjen e mallrave, që kanë pasur destinim Kosovën, pa pasur ndonjë ndikim në kursim të kohës apo kostos. Tani me përkushtimin dhe punën e vazhdueshme nga të dyja ekipet është arritur që nga data 1 shtator të pilotohet me zhdoganimin e mauneve dhe karburanteve, derisa nga 1 tetori e kemi zhdoganimin e plotë të gjitha mallrave që e kanë destinacion Kosovën. Kjo qasje mundëson që prakitikisht ekonomia e Kosovës të ketë qasje në det dhe lehtësi edhe për qasje në tregjet globale”, ka theksuar tutje Murati.
Ai ka thënë se duke marrë parasysh kohën që kursehet por edhe koston që arrin mbi 2 milionë euro për bizneset që bëjnë tregti në këtë port, kjo mund të vlerësohet si një arritje e jashtëzakonshme.
Murati ka thënë se hapi tjetër i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është fillimi i zhdoganimit në Vërmicë-Morinë, ku po punohet në zgjerimin e terminalit shtetëror dhe me përfundimin e punimeve, të gjitha shkëmbimet mes dy vendeve do të bëhen pa kosto dhe me kohë pritje më të ulët.