Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Supreme të Serbisë për të mos dënuar Aleksandar Vulin, ish-ministrin e Mbrojtjes, aktualisht zëvendëskryeministër i Serbisë, për deklaratat e tij të cilësuara si diskriminuese dhe denigruese ndaj shqiptarëve.
Mustafi në Facebook ka shkruar se, “kur Gjykata Supreme e Serbisë me firmën e gjyqtares Dragana Marinkoviq, zgjedh ta mbyllë sytë ndaj diskriminimit flagrant dhe gjuhës denigruese të Aleksandar Vulin, nuk bën asgjë tjetër veçse nxjerr në pah një realitet të hidhur: sistemi i drejtësisë në Serbi vazhdon të jetë peng i politikës”.
Mustafi e vuri në pah përdorimin e termit “shqiptari” nga Vulin, duke e cilësuar atë si një përpjekje për “të ulur dinjitetin e shqiptarëve, për t’i përjashtuar, për t’i kriminalizuar dhe për t’i çuar në një ndarje të thellë etnike.”
Ai ka kritikuar vendimin e gjykatës, që në vend se të ndëshkonte gjuhën denigruese, e ka mbrojtur atë.
“Vendimi i Gjykatës Supreme e çon këtë çështje pranë Gjykatës Kushtetuese të Serbisë,” deklaroi Mustafi, duke theksuar se pas këtij hapi, rasti do të dërgohet në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg për të kërkuar atë që na mohohet në Serbi.
Mustafi, i cili ka ngritur këtë padi që nga gushti i vitit 2019, deklaroi se çështja përbën një provë të madhe për sistemin serb të drejtësisë.