Shkruan: Hamid Alaj
New York: 1.01.2023
Ti jipet epiteti një femre “Atdhetare e shquar e çeshtjes kombëtare” nuk është e paktë, sepse aty lypet, jo pak por shumë për të bërë e sakrifikuar, madje edhe deri në dhënie jete, e mos të flasim për të tjera gjëra që një femër duhet të kalojë gjatë gjithë jetës së saj për ideale dhe çështje kombëtare. Ajo është një dhe e vetmja femër krajane që sakrifikoi gjithçka për çështjen dhe idealet kombëtare, e quajtura Nazire Curaj-Zogaj.
Nazirja e lindur dhe e rritur në trevën e Krajës derisa mori rrugën e shkollimit të mëtejshëm, pastaj e shkolluar dhe e frymëzuar me idealet dhe çështjen kombëtare në Kosovë, ajo sot mund të bëjë krenar çdo femër krajane por edhe çdo banor të trevës që e kujtojnë me rrespekt dhe nostalgji edhe si mësuese por edhe si “femra” më e njohur krajane e idealeve kombëtare, e pse mos të thënë “heroina” e trevës së tyre. Ajo ka një biografi të gjërë edhe pse dominon vuajtja dhe sakrifica e saj për idealet dhe çështjen kombëtrae shqiptare.
Nazire Curaj u lind më 27. 12 (dhjetor) të vitit 1946 në fshatin Ostros i Madh (lagja, Curaj Poshtë) të Krajës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje në vitin shkollor 1960/61. Mbasi mbaron shkollën fillore Nazirja regjistrohet në Shkollën e Mesme në Ferizaj, në Kosovë, në vitin shkollor 1961/62 dhe përfundon në vitin shkollor 1964/65. Në vitin 1966 kthehet në vendlindje, si mësuesja e parë krajane dhe pikërisht më 1 shkurt të vitit 1966, fillon punën në arsim, pranë Shkollës fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Ostros të Krajës. Në Shtator të vitit 1967, e lëshon Krajën dhe kalon ilegalisht në Shqipëri. Gjatë qëndrimit katërvjeçar në Shqipëri, (gjer më 1971), ajo ndiqte studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Tiranës. Gjatë atyre viteve dha provimet e vitit të parë dhe të dytë të studimeve dhe njëkohësisht edhe punësohet për dy vite ku dha mësim në Shkollën Fillore “Vaso Kadija” në Zues të Shkodrës. Pas atyre viteve qëndrese në Shqipëri, ajo vendos të kthehet në vendliondje. Edhe pse kthehet në vendlindje Krajë asaj nuk i lejohet punësimi në komunën e Tivarit, gjegjësisht të punësohet si mësuese në trevën e Krajës aty ku për herë të parë filloi profesionin e saj dhe mori ditarin e mësuese në dorë. Edhe pas gjithë kësaj, ajo e etur për të punuar profesionin e vet vendos të shkojë në Kosovë dhe pranohet në Shkollën Fillore “Jeta e Re” në Komoran të Kosovës, ku punoi një vit shkollor. Pas një viti shkollor vendos të transferohet për të dhënë mësim në Shkollën Teknike në Ferizaj, në vitin shkollor 1972/73. Edhe në këtë shkollë punoi një vit shkollor. Po një vit shkollor dha mësim edhe në Shkollën Ekonomike në Ferizaj ku vazhdon punën edukativo-arsimore, si mësimdhënëse e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Gjashtë vite shkollore dha mësim në Shkollën Fillore në Babush të Ferizajit. Ajo, në mënyrë permanente, me vullnet e zell punoi për ngritjen dhe përsosjen profesionale. Për këtë qëllim regjistrohet në Fakultetit Filozofik, Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetit e Prishtinës, dhe diplomon në vitin 1980. Profesoresha atdhetare në vitin 1980 fillon të japë mësim në Shkollën e Mesme Bujqësore “Zenel Hajdini” në Ferizaj
Në një periudhë kohore dhjetëvjeçare (1971-1981) Nazire Curaj nuk rreshtë së punuari për çeshtjen kombëtare. Bile ajo së bashku me aktivistë tjerë si nga Kosova po ashtu edhe nga treva e Krajës, vazhdon aktivitetet e saj patriotike dhe kombëtare për t’u përgaditur për Pranverën e Madhe të vitit 1981. Ajo shkon në vendlindjen e saj Krajë dhe takohet me patriotët krjanan të idealeve kombëtrae si me Ali Perashin, i cili shprehet i gatshëm për të punuar për çeshtjen kombëtare, poashtu edhe me patriotët e tjerë krajan si me Xhafer Markashin, Salih Markashin e Hasan Perashin. Të gjithë së bashkut bien dakord që idealet e tyre patriotike ti shkrijnë për çështjen kombëtare shqiptare. Kjo ishte nisma e formimit të grupit ilegal “Jehona e Krajës”, protagoniste e së cilës ishte Nazire Curaj. Kështu, Nazire Curaj së bashku me Eshrefe Mujën në vitin 1982 shkojnë pësëri në Krajë dhe vendosen ilegalisht në lagjen Kacaj (fshati Martiq) në shtëpin e Et’hem Halilit, ku u zyrtarizua formimi i grupit ilegal “Jehona e Krajës”.
Nazirje ka ardhur shpesh në Krajë nga Kosova ku jetonte dhe vepronte. Sa qëndronte në vendlindje së bashku me patriotët e tjerë krajan formonin dhe shkruanin trakte të ndryshme kundër regjimit sllavo-komunist dhe njëkohësisht edhe i shpërndanin në mënyrë ilegale nëpër rrugët e Krajës. “Gjatë qëndrimit një javor në Kacaj, unë kam shkruajtur disa trekte për t’i shpërndar në mbarë Krajën dhe disa letra proteste, që t’ju dërgohen të gjitha instancave që nga Komuna e Tivarit e gjer në Federatë”, shprehet Nazire Curaj. Ajo me urdhër të aktivistit të njohur për çeshtje kombëtare nga Kosova patriotit Abdulla Prapashtica, shkonë në Krajë me detyrë që të formojë një grup të besueshëm atje i cili do të shërbejë si bazë e nevojshme për të bashkëpunuar me Shtetin Amë, me Shqipërinë.
Në prill (9 dhe 10) të vitit 1981 Nazire Curaj merret në pyetje nga policia e Ferizajit për aktivitetet e saj patriotike dhe me këtë rast dënohet dy (2) muaj burg, kurse më 18 prill po të atij viti e largojnë nga mardhënie pune. Kolektivi i shkollës ku ajo punonte dhe nxënësit e asaj shkolle protestuan për një kohë të gjatë, plot gjashtë muaj, për kthimin në punë të mësueses së tyre, por ai kthim i saj në mardhënie pune u mundësua në shtator të vitit 1992. Pasi lirohet nga burgu dy mujor, po në vitin 1981 ajo shkon në Krajë dhe njëkohësisht viziton edhe Ulqinin. Me këtë rast merret në pyetje nga UDB-ja në Stacionin Policorë të Ulqinit. Kthen në Kosovë dhe vashdon aktivitete e saj patriotike.
Në shtator të vitit 1983, Nazire Curaj merr detyrë që përmes Krajës, me ndihmën e anëtarëve të grupit ilegal “Jehona e Krajës” të shkojë në Shtetin Amë bashkë me Xhabir Morinën, me detyrë që të kontaktoj me udhëheqësit e Shtetit Amë dhe të kërkojë ndihma konkrete për fillimin e Luftës Çlirimtare në Kosovë. Kjo ishte Nazire Curaj e cila kishte guxim dhe vullnet ta kryente çdo detyrë që i ngarkohej asaj për çeshtjen dhe idealet kombëtare. Dhe ate e bënte. Niset për në shtetin Amë, Shqipëri dhe atje kërkon të takohet me disa udhëheqës të lartë shtetëror për të kërkuar ndihmë por siç shprehet ajo: “mbeta e zhgënjyer duke më thënë se nuk janë pjekur kushtet për një gjë të tillë”. Pasi kthehet nga Shqipëria ajo bie në depresion të thellë dhe njëkohësisht humb vetëdijen dhe ashtu në atë gjendje, pa pikë mëshire, policia fashite jugosllave e burgosin sërisht me një nga nxënëset e saj, Elmaze Graincën, në vitin 1985, ku ndaj saj ushtrojne dhunë të pa parë sa që brenda dy ditëve i thejnë 15 dhëmbë e dhëmballë, ku gjaku i shkonte curril nga hunda, veshi e goja, ku shpesh nuk ishte e zoja të ngrihej në këmbë, por ashtu në atë gjendje përpiqej të qëndrohnte në këmbë, gjë që e paraqet edhe në një poezin e saj të pa botuar, ku ajo shprehet: “Si feniksi unë jam ba / Shumë herë vdiqa dhe u ngjalla”. Po atë vit (22 tetor 1985) mbahet gjykimi i saj në Prishtinë me kryetar të trupit gjykues Shefki Sylaj, “udbashi” famëkeq shqiptar i asaj kohe i cili me këmbngulje kërkon që Nazire Curaj të dënohet me burgim të përjetshëm kurse eksperti ligjor boshnjaku Muhedi Salihamixhiqi-neuropsikiatë, insistonte që Nazire Curaj të dënohej me një vit burg, kurse ish-nxënësja e saj të lirohej në mungesë faktesh.
Pasi që Nazirja ishte me origjinë nga Kraja. Trevë e cila ishte nën juridiksionin e Malit të Zi, në burgun e Prishtinës ku Nazirja vuante dënimin vinë disa “udbasha” nga Mali i Zi me pretekst që ajo është nga Mali i Zi dhe që ajo të transferohet në burgun e Shpuzës për ta vuajtur dënimin, mirëpo një “udbash” shqiptar, njëfarë Arif Riza mundohet që Naziren mos ta lëshojnë në duar të malazezëve duke ju treguar atyre dosjen shëndetsore të saj “udbashave” malaziaz që kishin ardhur për ta marrë Naziren, dhe ashtu ndodhi, Nazirja nuk u trensferua në Mal të Zi në burgun e Shpuzës por e vuajti dënimin në burgun e Prishtinës aty ku ishte dënuar.
Në shtator të vitit 1988, Nazire Curaj përsëri dënohet me një vit burg dhe burgun e vuan në Mitrovicë dhe Beograd ku përsëri vazhdojnë torturat ndaj saj. Pasi lirohet nga burgu ajo përsëri shkon ilegalisht në Krajë për të vazhduar aktivitetet e saj patriotike dhe atdhedashëse. Nga përndjekjet e shumta nga policia sllavokomuniste jugosllave, Nazirja herë pas here detyrohet të kalojë në Shqipëri. Tani më në një gjendje të mjerueshme, e dalur nga burgu, pa punë, e me fëmijë të vegjël kalon në Shqipëri disa herë por edhe në këtë gjendje të rëndë psiqike policia malazeze e ndalin dhe e mbajnë në burgun e Shpuzës për pesë (5) ditë me pretekstin që pas pesë (5) ditëve të paraqitet në policin e Prishtinës. Pra, nga kjo shihet qartë se Nazire Curaj-Zogaj ishte një patriote e flaktë nga treva e Krajës, ishte e lidhur për të vazhduar veprimtarin e saj për çështje kombëtare, andaj ishte e ndjekur këmba-këmbës nga UDB-ja jugosllave, e cila torturohej fizikisht dhe mendërisht. Ishte e burgosur disa herë si në burgun e Ferizajit, Nishit, Prishtinës, Mitrovicës, Beogradit e të Shpuzës. Ajo u rezistoi të gjitha burgjeve, qoftë në Serbi, Kosovë e Mal të Zi dhe asnjëherë nuk u dorëzu përkundrazi dilte kryelartë në mbrojtje të idealeve të veta kombëtare. Edhe pas gjithë këtyre vuajtjeve e burgosjeve Ajo asnjëherë nuk u mposht edhe pse shpijunët e “udbashat” e policisë sllavokomuniste e torturonin ajo përsëri qëndronte kokëlartë. Të njëjtën gjë e bënte kudo ku vepronte si në vendlindje Krajë po ashtu edhe në Kosovë ku jetonte dhe kishte bazën e veprimtarisë së saj. Mbi të gjitha luftonte për çlirimin e kombit të vet nga thundrat sllavo komuniste jugosllave.
Fakti që Nazirja kishte krijuar një shoqëri patriotike si në Kososvë po ashtu edhe në vendlindjen e saj Krajë, kishte formuar dhe udhëhequr grupin ilegal “Jehona e Krajës” së bashku me patriotët e tjerë krajanë, ajo nuk mund të anashkalojë idealet dhe çeshtjen kombëtare që ja kushtoi tërë jetën e saj. Ajo nuk mund të pranonte diktaturë, dhunë policore e vuajtje të popullit të saj, ndaj dhe i shfaqi hapur bindjet e saja politike, por në të njëjtën kohë edhe policia sllavolomuniste jugosllave nuk mund ta pranonte Naziren, ndaj e goditi me burgime të një pas njëshme duke e ndjekur këmba-këmbës në veprimtaritë e saj. Ajo kurrë nuk u mundua për përfitime vetijake, politike e karrieriste, por veten e shkriu për idealet kombëare dhe bashkim të të gjithë trevave shqiptare në një shtet të përbashkët-Shqipërin Natyrele.
Nazire Curaj përveç që është marrë me veprimtari patriotike kombëtra, ajo njëkohësisht ëshjtë marrë edhe me shkrime të ndryshme e sidomos me poezi. Ka shkruar qysh në bankat e Shkollës së Mesme kur ishte në Kososvë. Kryesisht shkrimet e saja kanë qenë të orientuara me tema për vendlindjen, por ka shkruar edhe tematika të ndryshme e sidomos ato me tema atdhedashurie. Nuk janë të botuara deri më tani asnjë nga shkrimet e saja por shpresojmë që edhe ato një ditë ta shohin dritën e tyre në revista, gazeta e periodikë të ndryshëm, mbase në vepër të veçantë të saj.
Jo vetëm që Nazirja është marrë me shkrime të ndryshme, por për Naziren edhe kanë shkruar të tjerët qysh kur ajo ishte gjallë dhe në flakën e veprimtarisë së saj patriotike. Për Naziren kanë shkruar edhe emigrantët krajanë në New York, ku bukur mirë më kujtohet ku isha student në SHLT në Ferizaj në vitet ’80, një bashkëvendas i imi (i autorit të këtij shkrimi) në mërgim në New York me pseudonimin “Lulo” më dërgonte poezi kushtuar Nazires dhe më porosiste që t’ia dorëzoja asaj, mirëpo edhe pse unë (autori i shkrimit) nuk e kam takuar Naziren, por në distancë e kam parë disa herë, por jo folur apo ndejur me ta, sepse si student që isha na kaplonte friga t’i afroheshim një patrioteje si ajo me pretekst se do të na shpiunonte dikush në policin e Tivarit dhe do të humbesha të drejtën e shkollimit, dhe ato poezi i mbasha shumë të fshehura që të mos mi dinin as shokët e mi se unë i kam dhe kështu amaneti i “Lulo’s” kurr nuk u plotësua nga një student krajan, madje ato poezi gjatë një udhëtimi nga Prishtina për në vendlindje Krajë, ranë në dorë të policisë së Tivarit, në stacionin e autobusave në Tivar dhe kur më pyeten policët se: “C’farë janë këto”, unë u përgjigja se janë: “Domaći zadatak-Detyra shtëpie”), duke ju treguar se isha student dhe kisha detyra shtëpie për studime, dhe kështu i pështova bukur mirë një marrje në pyetje nga policia malazeze, burgosje disa ditëshe apo edhe disa viteve, mbase edhe ndërprerje studimesh të mëtejshme.
Nazire Curaj vdiq më 14 Dhjetor të vitit 2019 në Ferizaj të Kososvës por u varros atry ku e kishte lënë amanet në vendlindjen e saj në Krajë. Ajo u kthye në vendlindjen e saj në Krajë që e donte shumë, në arkivoli të mbështjellur me flamurin Kuq e Zi – Shqiptarë që e kishte në zemër por edhe si vene në trupin e vet. Për në banesën e fundit ajo u përcoll me nderime të veçanta dhe një respekt të madh nga pjesmarrja e bashkëvendasëve në ceremonin e varrimit të saj. U përcoll për në banesën e fundit edhe nga shumë veprimtarë të kohës kur ajo vepronte dhe punonte për çeshtjen kombëtare. Gjatë pëcjelljes së arkivolit të saj për në banesën e fundi ajo u përcoll edhe nga shumë banorë të Ferizajit ku jetonte dhe vepronte, nga familjarët, bijat, nipat e mbesat e saja dhe një numër i madh qytetarësh nga Kosova e më gjërë.
Gjatë ceremonisë së varrimit për veprën dhe figurën e atdhetarës krajane Nazire Curaj folën edhe figura të njohura politite e veprimtarë të ndryshë.
Edhe pas vdekjes së Nazire Curaj janë shkruar artikuj dhe poezi të ndryshme kushtuar kësaj “heroine krajane”. Me rastin e vdekjes së saj edhe autori i këtyre rreshtave ja ka kushtuar një poezi mësueses, atdhetares dhe patriotës krajane, titulluar “Heroinës krajane-Nazire Curaj”.
Jeta dhe veprimtaria patriotike dhe arsimore e Nazire Curaj, është një jetë e lavdishme dhe pothuaj se një historie e veçante sidomos në veprimtarinë patriotike, e cila jetë ishte edhe shumë e mundishme, për të kryer detyrat e saj arsimore-patriotike, e cila jetë pothuaj se gjysma e saj kaloi nëpër burgjet sllavo-komuniste, jugosllave. Me te duhet të krenohet e mbarë Kraja si dhe e gjithë shqiptaria. Sot popullata krajane duhet të jetë krenare me këtë bijë të tyre të pa harruar por edhe shembull se si duhet punuar dhe vepruar për idealet kombëtare. Ajo sot lirirsht mund të thuhet se gjendet në piedestalin e femrave veprimtare shqiptare për çlirim dhe bashkim kombëtarë. Ajo sot është heroinë e trevës së Krajës. Nazire Curaj mbete një emër i madh i femrës-gruas së panënshtruar krajane por edhe mbarë shqiptare e cila diti si të veprojë e punojë për çështjen kombëare.
I lehtë i qoftë dheu i tokës së Krajës që aq shumë e deshti.
Qoftë i paharruaj kujtimi i kësaj besnikeje krajane, kosovare e gjithë shqiptarisë.