Kompania me bazë në Kolorado, Biofire Tech, ka filluar të marrë porosi për një revole e cila funksionon me teknologjinë e njohjes së fytyrës, e që është zhvillimi më i fundit në armët e personalizuara me të cilat mund të gjuajnë vetëm përdoruesit e verifikuar.
Por si shenjë e rrugës së gjatë dhe sfiduese me të cilën janë përballur revolet e mençura, një prototip dështoi dy herë të shkrepë kur u demonstrua për Reuters këtë javë. Themeluesi i kompanisë dhe drejtori ekzekutiv Kai Kloepfer, tha se softueri dhe elektronika janë testuar plotësisht, dhe dështimi lidhej me revolen mekanike e cila ishte bërë nga pjesët e para-prodhimit dhe prototipit.
Në raste të tjera gjatë demonstrimit, revolja qëllonte me sukses dhe teknologjia e njohjes së fytyrës dukej se funksiononte tërësisht, transmeton Telegrafi.

Revolja e Biofire gjithashtu mund të vihet në funksion përmes një lexuesi të shenjave të gishtit, që është një nga veçoritë e revoles, që është dizajnuar të parandalojë gjuatjet aksidentale nga fëmijët, reduktojë vetvrasjet, të mbrojë policinë nga marrja e revoleve të tyre ose për t’i bërë të padobishme armët e humbura dhe të vjedhura.
Versionet e para të revoles 9 milimetërshe të gatshme për konsumatorët mund t’u dërgohen klientëve që kanë porositur paraprakisht në tremujorin e katërt të këtij viti, me modelin standard me çmim prej 1,499 dollarësh që mund të jetë në dispozicion deri në tremujorin e dytë të 2024, bëri të ditur Biofire.


























