Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami ka njoftuar se për nesër është planifikuar nënshkrimi i vendimit për liberalizimin e vizave.
Përmes një postimi në Twitter, ai ka falënderuar të gjithë eurodeputetët që kanë miratuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
”Nënshkrimi i vendimit është planifikuar për nesër. Procesi përfundon me publikimin në Gazetën Zyrtare të BE-së. Udhëtimi pa viza fillon nga data 01.01.2024”, ka shkruar Bajrami.
Liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi në datën e funksionalizimit të sistemit ETIAS por jo më vonë se 1 janari 2024, pra, edhe nëse ky sistem nuk hyn në funksion deri në atë datë.
Sipas rregullave të Parlamentit Evropian, liberalizimi i vizave nënkupton që qytetarët e Kosovës do të kenë kohë të qëndrojnë 90 ditë në Zonën Shengen, në një periudhë prej 180 ditësh.