Deputetët e Kuvendit të Kosovës nisin të hënën shqyrtimin e projektligjit për ndarjet buxhetore për vitit 2025, të propozuar e miratuar nga Qeveria në vlerë prej 3.6 miliardë eurove. E përderisa partitë opozitare kanë shprehur qëndrimin e tyre se nuk do ta votojnë këtë projektligj, partia në pushtet është e sigurt se i ka numrat për miratim.
Sipas planifikimeve të ekzekutivit nga buxheti i vitit të ardhshëm 930 milionë euro janë planifikuar për investime kapitale.
Projeksionet e Qeverisë flasin për implementim të projekteve të cilat do të ndikojnë në përmirësim të rrjetit të transportit, energjisë elektrike, kushteve në arsim e shëndetësi, një pjesë e madhe e projekteve dhe mjeteve do të jetë e bartur nga ky vit.
916.5 milionë euro nga buxheti janë paraparë për paga e shtesa si dhe 535.97 milionë për mallra dhe shërbime.
Vetëm për pagat e anëtarëve të Kuvendit të Kosovës janë paraparë mbi 3.6 milionë euro, pagat për zyrën e presidentët mbi 1 milionë euro si dhe për kabinetin e kryeministrit Kurti mbi 1 milionë.
Buxheti për nivelin qendror pritet të jetë mbi 2 miliardë e 757 milionë euro, ndërsa për atë lokal rreth 788 milionë euro.
Qindra miliona euro janë paraparë edhe për institucionet shëndetësore. Shpenzimet e spitaleve rajonale gjatë 2025-tës kapin vlerën e mbi 54 milionë eurove, këtu përfshihen edhe të hyrat vetanake të tyre si dhe grantet qeveritare.
Për QKUK-në janë paraparë mbi 10 milionë euro, ndërsa për Shërbimet terciare mjekësore, mbi 3 milionë.
Miliona euro janë paraparë edhe për arsim. Mbi 366 mijë euro do të shpenzohen vetëm për trajnimin e mësuesve, ndërsa mbi 452 mijë për arsim profesional. 200 mijë euro do të ndahen për përkrahjen e nxënësve me potencial të jashtëzakonshëm.
Për Minierat e Trepçës shpenzimet me buxhetin e vitit 2025 kapin vlerën e 3 milionë eurove. Ndërsa 7.5 milionë euro janë ndarë për kategorinë e rezervës rrjedhëse.
Qeveria parashikon se rritja ekonomike sivjet do të jetë 4.5 % ndërsa, vitin e ardhshëm, është planifikuar të jetë 5.6%./rtk