Në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës ka arritur që të marrë 0.3 për qind të votave, duke e siguruar një mandat në Parlamentin e Serbisë.
Shaip Kamberi, prijësi i koalicionit të Shqiptarëve të Luginës pritet që të jetë edhe njëherë deputet në Parlamentin e Serbisë.
Por, ky deputet i cili sërish pritet t’i përfaqësojë shqiptarët në Parlamentin e Serbisë, ka qenë gjithmonë shumë i zëshëm gjatë seancave.
Kujtojmë disa raste:
Shaip Kamberi i përmend varrezat masive, nervozon Ivica Daçiqin
Kamberi gjatë seancës (29 tetor 2020), kishte listuar fakte për masakrat e Serbisë në Kosovë dhe mohimin e fshehjen që shteti serb po bën karshi këtyre të bëmave.
Deputeti Kamberi kishte ftuar kryeministren e rizgjedhur Ana Bërnabiq që të shkojnë së bashku për vizitë në vendet ku janë zbuluar varreza masive me trupa të shqiptarëve të vrarë në Kosovë e që u sollën në Serbi në disa lokacione për t’i fshehur gjurmët e krimit.
Bërnabiq e kishte akuzuar Kamberin se po mbledh poena politikë, derisa Kryetari i Kuvendit Ivica Daçiq ia kishte tërhequr vërejtjen për “gjuhën parlamentare”.
Shaip Kamberi vendos flamurin kuq e zi në Parlamentin e Serbisë
Rreth një vit më parë, deputeti Shaip Kamberi në Kuvendin e Serbisë nxorri flamurin shqiptar duke kërkuar që të lejohet përdorimi i tij nga komuniteti shqiptar.
Ai tha se në Serbi duhet të ndryshohet ligji dhe t’iu mundësohet edhe shqiptarëve që të përdorin flamurin e tyre kombëtar duke thënë se vetëm në Serbi iu mohohet kjo e drejtë, njofton Klan Kosova.
“Flamuri shqiptar të legalizohet dhe të valojë në Luginë, ashtu sikurse po valon ligjshëm flamuri serb në Graçanicë, Kotor dhe Kumanovë”, kishte thënë Kamberi në Parlamentin e Serbisë.
Shaip Kamberi mban fjalimin e parë shqip në Kuvendin e Serbisë së pasluftës (VIDEO)
Kamberi e kishte mbajtur fjalimin e parë në gjuhën shqipe në Kuvendin e Serbisë së pasluftës.
FJALIMI I PARË SHQIP NË PARLAMENTIN E SERBISË SË PASLUFTËS
Poštovani građani Republike Srbije,
Dame i gospodo narodni poslanici,
Gospodine Presedniče;
Dobar dan – Mirëdita
Sot është e një ditë e veçantë.
Është ditë e parë pasi që një Gjykatë e këtij shteti ka legalizuar termin ofendues “šiptari”, ishte një pjesë nga fjalimi i tij.
Shaip Kamberi në Parlamentin e Serbisë ngrit çështjen e rastit ”Panda” (VIDEO)
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, kishte ngritur çështjen e rastit ‘‘Panda‘‘.
Në fjalimin e tij, Kamberi u shpreh para të pranishmëve, se rasti ‘‘Panda‘‘ në Pejë, ishte krim i serbëve që tentuan t’ua mveshin këtë akt shqiptarëve.
Shaip Kamberi kërkon në parlament që Serbia ta ndryshojë tërësisht Kushtetutën për çështjen e Kosovës
Kamberi kishte deklaruar se ai kundërshton, ndryshimin e pjesshëm të Kushtetutës së Serbisë, duke besuar se akti duhet të ndryshohet në tërësinë e tij.
Ai pati përmendur si problematike preambulën e Kushtetutës, e cila përcakton ”Kosovën dhe Metohija si pjesë e Serbisë”.
Shaip Kamberi citon vargje nga Himni Kombëtar në Kuvend të Serbisë
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, kishte kërkuar që të krijohen kushtet për përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare.
“Unë këtu mund vetëm të përmend vandalizmin ndaj flamurit shtetëror shqiptar, por detyra ime qenësore në këtë Kuvend është të pyes pse Shqiptarët e Luginës së Preshevës, respektivisht ata që jetojnë në Serbi, nuk munden lirshëm, publikisht dhe zyrtarisht të përdorin simbolin e tyre kombëtar, simbol ky që përfaqëson në thelb një pjesë të identitetit të tyre”, kishte thënë ai në Kuvendin e Serbisë.
Në përmbyllje të fjalës së tij Kamberi ka recituar disa prej vargjeve nga Himni Kombëtar:
“Se Zoti vetë e tha me gojë
Që kombe shuhen përmi dhe,
Po Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne!”.