Tomas Szunyog, Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, nëpërmjet llogarisë së tij në Twitter ka thënë se është e rëndësishme që të gjitha procedurat të jenë në linjë me ligjet e Kosovës. Ky reagim i Szunyog vjen pas shkarkimit të Valdete Dakës nga pozita e Kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor, shkruan Kosova Post.
“Jemi njoftuar për vendimin e presidentes Osmani për të shkarkuar shefin e KQZ-së, e për të caktuar një të ri. Është e rëndësishme që të gjitha procedurat të jenë në linjë me ligjet e Kosovës dhe që pavarësia e KQZ-së të ruhet duke siguruar përgatitje profesionale në kohë për zgjedhjet lokale dhe për reformat në ligjin për zgjedhje”, ka shkruar Szunyog.
Menjëherë pas shkarkimit të Dakës, të hënën që iku, Presidentja Vjosa Osmani ka emëruar gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Kreshnik Radoniqi, kryesues të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.