Prokuroria Speciale njofton se sot ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër 18 të pandehurve me inicialet K.Z, L.S, S.SH, A.U, V.H, B.P, A.GJ, G.A, K.S, B.S, V.I, F.J, F.Y, A.N, A.S, A.T, B.O dhe M.M në rastin e njohur si “Subvencionet V”, transmeton KosovaPost.
Sipas njoftimit aktakuza kundër të pandehurve është ngritur për veprat penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Marrja e ryshfetit’’, ‘’Dhënia e ryshfetit’’, ‘’Ushtrim i ndikimit’’ si dhe ‘’Mashtrim me subvencione’’.
“Aktakuza është ngritur kundër tetë (8) pandehurve si persona zyrtar, prej tyre katër (4) të pandehur janë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dy (2) të pandehur zyrtarë nga Regjioni i Gjilanit në kuadër të AZHB-së, një (1) zyrtarë në Komunën e Kllokotit, një (1) zyrtarë në Komunën e Vitisë dhe ndaj dhjetë (10) të pandehur të tjerë qytetar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Tutje në njoftim thuhet se Prokuroria Speciale ka propozuar që të konfiskohet “dobia pasurore e sekuestruar nga të pandehurit e fituar me kryerjen e veprave penale në vlerë 184,000.00€”.