Prokuroria Themelore në Prishtinë, njoftoi të enjten se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Y.I., për shkak të veprave penale “Ndërtimi pa leje” dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”.
Sipas aktakuzës, Y. I. gjatë muajit mars-qershor të vitit 2021, në fshatin Orllan të Podujevës, pa siguruar leje ndërtimore ka ndërtuar katër vila për banim në pronën e tij.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri Y.I., gjatë muajit mars-qershor të vitit 2021, në fshatin Orllan të Komunës së Podujevës, pa sigurimin e lejes ndërtimore nga organi kompetent dhe në kundërshtim me nenin 14, paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 të Ligjit për Ndërtimin, ka ndërtuar katër vila për banim, në pronën e tij, në atë mënyrë që përkundër njoftimit dhe procesverbaleve të datës 29.06.2021, Vendimit për ndërprerjen e punimeve Nr.316/21 të dt. 05.07.2021, si dhe gjobës së shqiptuar nga inspektorët e Drejtorisë së Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Podujevës, i njëjti ka vazhduar dhe finalizuar ndërtimet e vilave duke mos respektuar vendimet dhe procedurat e zhvilluara nga institucioni kompetent për ndalimin e ndërtimit të objekteve të lartcekura, çka me këtë e ka kryer veprën penale “Ndërtimi pa leje”, nga neni 359 par. 3 lidhur me par 2 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin për media..