Kryeparlamentarja e Shqipërisë, Lindita Nikolla, në kuadër të Samitit të NATO-s në Uashington ka thënë se vendi shqiptar e ka shprehur përkushtimin e vet ndaj sigurisë e lirisë, si kontribut për familjen euro – atlantike.
“Shqipëria ka dhënë kontributin në NATO dhe kjo tregon se nuk varet nga madhësia, historia apo niveli i zhvillimit të vendit, por varet nga përkushtimi i sinqertë ndaj sigurisë dhe lirisë”, ka thënë Nikolla, duke qenë folësja e parë e delegacionit.
Tutje ajo ka përmendur fillimin e punës së bazave ajrore taktike si dhe faktin që parlamenti i Shqipërisë është ndër të parët që ratifikon protokollet e anëtarësimit të anëtarëve të rinj, si veprime të përkatësisë në NATO.
Nikolla gjithashtu ka përmendur mbështetjen ndaj Ukrainës, duke dhënë mesazhin e qartë që Shqipëria është kundër çdo lloj terrorizmi.
“Jemi bashkuar me të gjitha forcat tona dhe kemi dhënë të gjithë përkrahjen ndaj Ukrainës, duke demonstruar forcën dhe kohezionin e organizatës. Kush e shpëton një jetë, ka shpëtuar njerëzimin e tërë. Terrorizmi ekstremizmi duhet të luftohen në çdo mënyrë”, ka thënë kryeparlamentarja shqiptare.
Forcimi i mbrojtjes dhe mbështetjes ndaj Ukrainës është tema kryesore në të cilën është fokusuar Samiti i NATO-s i cili ka nisur sot, duke shënuar 75-vjetorin e organizatës më të madhe ushtarake në botë.