Kuvendi i Kosovës nisi sot seancën e parë të jashtëzakonshme, e cila i kushtohet përkujtimit të viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë, në 29 vjetorin e saj.
Seanca ka filluar me një minutë heshtje, për nder të viktimave të masakrës së Srebrenicës.
Për shkak të punimeve në sallën e seancave të Kuvendit, seancat po mbahen në një sallë tjetër.
Kujtojmë se Bosnja dhe Hercegovina shënon 29-vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara. Në ditët që pasuan, ato vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth.