Ka nisur edicionin e 24-t Universiteti veror ndërkombëtar i Prishtinës. Ky program, tashmë traditë e Universitetit të Prishtinës, sjell studentë dhe profesorë nga universitetet botërore, kryesisht universitete më të cilat UP-ja ka bashkëpunime.
Arta Basha-Jakupi prorektore për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik në Universitetin e Prishtinës, e ftuar në emisionin e “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK ka dhënë detaje shtesë mbi programin që po zhvillohet në universitet.
Sipas Basha-Jakupit ky universitet veror ndikon në rritjen e cilësisë, shkëmbimin kulturor dhe u ofron studentëve të shohin se si zhvillohen kurset në universitet më të njohura.
Prorektorja Basha Jakupi ka folur edhe për sfidat e UP-së me sjelljen e profesorëve ndërkombëtar në Prishtinë por edhe me mundësinë e rënies së numrit të studentëve që paraqiten në këtë program.
“Universiteti i Prishtinës punon që përgjatë tërë viteve të sjellë profesorë ndërkombëtarë, kështu që pothuajse secili fakultet apo program studimor përgjatë vitit ka pasur një ose dy ligjërues me ligjërata të hapura, andaj studenti i Universitetit të Prishtinës është mësuar me një praktikë të tillë. Jemi përgatitur që ndoshta do të sfidohemi me rënien e numrit të studentëve që do të paraqiten, por siç duket nuk do të ketë rënie të interesimit”, ka theksuar Basha Jakupi, duke shpjeguar tutje edhe rreth përfitimeve që studentët do të kenë nga angazhimi në këtë program.
Ajo gjithashtu ka folur për bursat që u janë shpërndarë vitin e kaluar studentëve ndërkombëtar nga Universiteti Veror i Prishtinës, duke njoftuar se marrë parasysh sfidat financiare të studentëve pjesëmarrës edhe këtë edicion do të dhurojnë bursa.
Kujtojmë se për shkak të pandemisë ky edicion është edicioni i 23-të, por Universiteti i Prishtinës e numëron si edicion të 24-t.