Një raketë e shkrepur nga Siria në rajonin jugor të Negevit në Izrael ka bërë që të lëshohen sirenat paralajmëruese afër reaktorit bërthamor Dimona, ka njoftuar ushtria izraelite.
Nuk ka raportime për viktima ose dëme. Sipas mediave lokale banorët e zonës kanë dëgjuar një shpërthim të fuqishëm.
Si kundërpërgjigje, Izraeli njoftoi se ka sulmuar sistemet e mbrojtjes ajrore në Sirinë fqinje, përfshirë edhe atë që ka shkrepur raketën.
Mediumi Times of Israel citoi një zëdhënës ushtarak të thoshte se sulmi sirian me raketa nuk ishte një përpjekje e qëllimshme për të goditur reaktorin bërthamor në Dimona.
Izraeli kryen rregullisht sulme ajrore në Siri dhe në shënjestër ka forcat iraniane dhe grupet e lidhura me Iranin.
Tensionet mes Izraelit dhe Iranit janë në rritje.
Irani ka fajësuar Izraelin për një seri veprimesh sabotazhi që kanë synuar programin bërthamor të Iranit, duke përfshirë një sulm që dëmtoi uzinën bërthamore Natanz në fillim të këtij muaji.
Izraeli ka thënë se do të bëjë “gjithçka që duhet” për të siguruar që Irani të mos ketë armë bërthamore./t.ch