Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se depolitizimi i administratës publike është alfa dhe omega e qeverisjes së tyre.
Ai këtë deklaratë e bëri në foltoren e Kuvendit derisa po i përgjigjej deputetit të AAK-së, Besnik Tahiri.
“Depolitizomi që nënkupton ekzistencën e politizimit. Kur ne flasim për depolitizim e certifikojmë faktin që qeveritë e mëparshme e kanë politizuar. Siç e kuptova unë brengën e juaj [Besnik Tahiri] është që njerëzit që i keni vendosur keni dashur t’u jepni mandat të përhershëm”.
Bislimi parafrazoi fjalimin e Tahirit, i cili derisa po fliste për këtë temë përdori analogjinë e emrave të tyre të njëjtë për të shprehur qëndrimin e tij.
“E thatë me shumë të drejtë: “Kemi zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, i cili ka qëllime të mira mbase, por mund të ndodhë që në të ardhmen të vijë një zëvendëskryeministër tjetër, Besnik Tahiri, i cili mbase mund të ketë qëllime të këqija”. Po pajtohem me të. Por, problemi është që në fillim ka qenë një Besnik Tahiri dhe tash ka ardhur një Besnik Bislimi. Njëherë ka ndodhur politizimi, tash pritet të ndodhë depolitizimi”.
Edhe për këtë deklaratë të emnakut të tij, Tahiri replikoi.
“Nëse mundesh me ma gjet veç një familjar, apo një të afërt që e kam punësuar si zëvendëskryeministër, unë jap çfarëdo përgjegjësie politike, morale. Nuk di a mundeni ju me thënë këtë? Kur e bëra analogjinë, s’e bëra për individin, as për ty, as për mua. E bëra që nëse ia lë në diskrecion një ministri përcaktimin e koeficientit, nesër mundet me ardhë – po e marr veten shembull – një Besnik Tahir që do t’i fitojë zgjedhjet, e rrit koeficientit prej 239 euro në 400. Kësaj iu referova, sepse sytë janë për me pa e veshët për me dëgju dhe e dimë kush po punësohet”.