Deklarata e kryeministrit Edi Rama nga Asambleja e OKB për njohjen e Kosovës ka revoltuar Serbinë.
Menjëherë pas thirrjes së Ramës për të njohur Kosovën, pasi sipas tij, “Kjo Asamble e madhe nuk do të jetë e plotë pa një prej shteteve të rajonit tonë, Republikën e Kosovës, ka reaguar kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç.
Kjo e fundit ka theksuar se deklarata të tilla nuk janë të mira dhe se nuk ndihmojnë në sigurinë e Rajonit.
Ajo gjithashtu theksoi se kishte marrë një përgjigje nga Sekretari Gjeneral i OKB-së, Antonio Guterres, teksa thotë: “Përgjigja më e mirë është dhënë nga Sekretari Gjeneral i OKB-së, Antonio Guterres, në fjalinë e parë që ma tha mua se Kosova nuk është shtet për ne. Kjo është përgjigja më e mirë diplomatike”.
Sipas kryeministrit shqiptar, Kosova është një realitet që vazhdon prej 13 vitesh dhe që ka sjellë shumë paqe e stabilitet në rajon, si dhe ka kontribuar që të shkëputemi nga e shkuara e hidhur.
“Megjithatë, kjo Asamble e madhe nuk do të jetë e plotë pa një prej shteteve të rajonit tonë, Republikën e Kosovës. Më keni dëgjuar më shumë se njëherë këtu të bëj thirrje për njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Nuk është opsesion, por ftesë për të njohur realitetet e reja në zemër të Evropës, në Ballkanin Perëndimor ku një shtet i ri lindi me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare.
Kjo punë duhet të përfundohet. Dua ta theksoj, ta përsëris thirrjen, sepse realiteti na ka treguar neve, kosovarëve, serbëve, të gjithë ballkanasve, se një Kosovë e pavarur, e sovrane, është një realitet që vazhdon prej 13 vitesh dhe ka sjellë shumë paqe në rajon, ka kontribuar që të shkëputemi nga e shkuara e hidhur. Është pjesë e së ardhmes së përbashkët të Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria mbështet si alternativë të vetme dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si e vetmja mundësi për të sjellë njohjen e ndërsjellë mes dy shteteve. E them me bindje absolute, vetëm maturia, kurajoja dhe vizioni do ta lejojë më në fund Serbinë të heqë barrën e së shkuarës”, tha kryeministri Rama.