Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) kanë lansuar fushatën “Festo me zemër, jo me armë”, transmeton Kosova Post.
Kjo fushatë synon ngritjen e vetëdijes për rrezikun e posedimit ilegal dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani tha se përdorimi i armëve ilegale mbete shqetësim si për institucionet kosovare por, po ashtu edhe për qytetarët.
Sipas tij, çdo vit Policia e Kosovës konfiskon deri në 1.500 armë ilegale.
“Gjatë vitit 2021 gjithsej janë konfiskuar 1.280 armë dhe rreth 42 mijë rrathë municioni të kalibrave të ndryshëm në krahasim me vitin 2020 ku janë konfiskuar 1.135 armë dhe rreth 32 mijë rrathë municioni të kalibrave të ndryshëm”, theksoi Gashani i cili tha se kjo fushatë po bëhet edhe në Maqedoninë e Veriut me të cilën Kosova po bashkëpunon për rritjen e sigurisë në rajon.
Zëvendës-shefi i UNDP-së në Kosovë, Niels Knudsen tha se po i ndihmojnë institucionet që të arrihet një ambient i sigurt për të gjithë.
Sipas tij, Kosova në vitet e fundit ka arritur përparim në aspektin e sigurisë dhe për këtë, përgëzoi institucionet e vendit.
“Ka ende punë për të bërë dhe këtë e kemi parasysh në baza ditore për shkak të incidenteve që ndodhin dhe kanë nevojë për reagimin institucional për të reduktuar përdorimin e armëve në akte kriminale”, theksoi Knudsen duke shtuar se përdorimi i armëve është problem global dhe luftimi i kësaj dukurie është fundamental.
Në bazë të hulumtimeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë vitit 2021, kosovarët kanë poseduar rreth 250 mijë armë ilegale./aa