Nga 2 prilli besimtarët myslimanë në gjithë botën kanë filluar agjërimin në muajin e shenjtë të Ramazanit.
Gjatë muajit Ramazan besimtarët agjërojnë nga agimi deri në perëndimin e diellit. E, agjërimi është një nga pesë kushtet e islamit.
Përveç rëndësisë në aspektin fetar, nustricionistët konsiderojnë se agjërimi ndikon pozitivisht edhe në organizmin e njeriut.
Nutricionsisti Bahri Sopa tregon për Telegrafin përfitimet që ka trupi i njeriut gjatë procesit të agjërimit.
Sopa vlerëson se agjërimi bën mrekulli në trupin e atyre që e shmangin ushqimin gjatë kësaj periudhe kohore.
“Agjërimi do të thotë mrekulli për organizimin e njeriut dhe ka bazë në fenë islame. Hulumtimet e ndryshme tregojnë se bëhen shumë përfitime shëndetësore në nivelin e organizmit të njeriut. Dobitë janë të mëdha duke filluar që nga glikoliza, ketogeneza dhe glukoneogeneza. Për shembull glikoliza e mundëson shkrirjen e yndyrës dhjamore në trup, sepse shumica e njerëzve e përmbajnë një sasi të madhe të yndyrës në trup. Pastaj është glukoneogeneza ku nivelet e karbohidrateve në organizëm ulen në atë nivel që duhet të krijohen karbohidrate mes rezervave të yndyrave dhe të proteinave”, tregoi ai.
Ndërkaq, përveç që i bën mirë organizmit, agjërimi, sipas Sopës, kontribuon edhe në përmirësimin e gjendjes mentale të njeriut, duke e menaxhuar kështu më mirë stresin.
“Në aspektin shëndetësor lidhet me proceset e menaxhimit të stresit, siç është lidhja e pakushtëzueshme me Zotin. Agjërimi përmirësn gjendjen duke filluar prej sistemit kardiovaskular dhe në të gjitha nivelet e tjera”, tha tuje Sopa.
Gjatë muajit të Ramazanit agjëruesit kujdes të shtuar duhet të tregojnë edhe me ushqimet të cilat i konsumojnë.