OBSH-ja ka kritikuar dhe quan të ‘papranueshëm’ procesin e ngadalshëm të vaksinimit të koronavirusit në Evropë, e cila prej muajsh po përballet me një situatë shumë shqetësuese epidemiologjik, transmeton Kosova Post.
“Ritmi i ngadaltë i vaksinimit po zgjatë pandeminë,” thonë nga Zyra e OBSH-së në Evropë, duke theksuar se numri i rasteve të reja në Evropë është rritur ndjeshëm në pesë javët e fundit.
Drejtori i OBSH-së për Evropën Hans Kluge tha se “vaksinat janë mënyra më e mirë për të dalë nga pandemia”.
Sipas tij, vaksina do të ndalonte edhe infeksionet.
“Jo vetëm që funksionojnë, por janë gjithashtu shumë efektive në kufizimin e infeksioneve. Sidoqoftë, aplikimi i ngadalshëm i vaksinave është i papranueshëm” tha Kluge në një deklaratë.
“Për të qenë të qartë ne duhet të përshpejtojmë procesin duke rritur prodhimin, duke zvogëluar pengesat për shpërndarjen e vaksinave dhe duke përdorur çdo dozë që kemi në magazinë”, vuri në dukje Kluge.
Kluge, tutje theksoi se situata në rajon ka qenë shumë shqetësuese në muajt e fundit.
Nga OBSH-ja, thonë se në rajonin evropian, i cili përfshin rreth pesëdhjetë vende, përfshirë Rusinë dhe disa vende të Azisë Qendrore, numri i vdekjeve javën e kaluar tejkaloi 24,000 dhe “me shpejtësi” po i afrohet një milion, shkruan Beta. Numri i të infektuarve sapo arriti 1.6 milion në bazë javore, ndërsa ishte nën një milion vetëm pesë javë më parë, sipas OBSH.sh.o./KosovaPost/.