Nëse Vuçiqi e hoqi çështjen e Kosovës nga agjenda, e mendoj se po, atëherë ai e zvogëloi ndjeshëm fuqinë shkatërruese të Moskës në Ballkan. Që nuk i shkon për shtat Kremlinit, ndaj po kërkon burime të reja shkatërrimi. Në radhë është Bosnja dhe Hercegovina”, thotë Olenik për RTKLive.
Arrestimet dhe ndëshkimet e aktivistëve mjedisorë dhe demonstruesve vazhduan pas një proteste të madhe kundër minierave të litiumit në Serbi, të mbajtur në Beograd të shtunën. Pas Ivan Bjeliqit, Nikolla Ristiqit dhe Jevgjenij Julijan Dimitrijeviqit, dje është ndaluar edhe avokati Branko Ivkoviq nga Valeva. Pas një postimi në rrjetin social Facebook, në të cilin u bën thirrje qytetarëve të Valevës në mosbindje civile, Ivkoviq është ndaluar dhe kundër tij është ngritur kallëzim penal “për shkaktim të panikut dhe rrëmujës”. Mbrëmë vonë, aktivistët e lëvizjes “Keni-Promeni” (Lëviz-Ndrysho) u ndaluan me arsyen që gjatë pritjes së ekipit olimpik serb në Beograd, mbajtën pankartën “Nuk do të gërmoni”, që “nuk është në përputhje me ngjarjen”, Pas seancës dëgjimore u liruan.
ME FORCË MBI PROTESTUESIT
“Vuçiq kishte frikë nga protesta, prandaj po e intensifikon represionin”, tha për RTKLive avokati Aleksandar Olenik, zyrtar i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës. Ai kujton se në prag të protestës së fundit në Beograd, aktivistët ekologjikë dhe organizatorët e protestës e njoftuan opinionin se po thirren për t’u marrë në pyetje në polici ose në Agjencinë për Siguri dhe Informacion (BIA).
“Vuçiq filloi të nxjerrë në rrugë policë me uniformë, gjë që nuk e kishte bërë më parë. Të dielën në mëngjes, Njësia Speciale Antiterroriste (SAJ) i përzuri protestuesit nga stacioni i trenit. Një muaj më parë, gjatë protestës në Nedeljice, një kordon policie me uniformë u ngrit kundër protestuesve. Si student i shkëlqyer i Sllobodan Millosheviqit, Vuçiq mësoi nga gabimet e një nga gabimet e Millosheviqit ishte se policët me uniformë kanë përdorë forcë ndaj protestuesve. Kur në qytetarë shkoni me këtë lloj dhune, shkaktoni mllef dhe revoltë, që sjell deri te rritja e numrit e personave të pakënaqur në rrugë. Vuçiq e di këtë dhe deri më tani, po e përsëris, nuk e ka bërë këtë”, thotë Olenik dhe shton se presidenti i Serbisë në vend që të përdorte forcën, i lejoi njerëzit të protestonin lirshëm dhe më pas urdhëroi arrestime dhe dënime.
“Kjo do të thotë se ai kishte frikë, kështu që ai demonstron forcë dhe vazhdon të abuzojë me policinë dhe gjyqësorin”, shpjegon avokati nga Beogradi.
MESAZHI I KRYEMINISTRIT VUÇEVIQ
Se struktura qeverisëse nuk po tallej, u bë e qartë të shtunën, kur kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, në rrjetin social “X” i quajti pjesëmarrësit e protestës “Nuk do të ketë minierë”, “bandë të shpërbërë”.
“Disa si bandë e shpërbërë shkojnë të bllokojnë, as nuk e dinë se çfarë, por e rëndësishme është që kërcënojnë funksionimin e njerëzve normalë. Të tjerë po përgatiten që, siç thonë ata, “të gërmojnë kancerin më të madh në godinën e Presidencës”. Frikacakë dhe gënjeshtarë! Ambientalistët që nuk mbjellin pemë por gërmojnë gaforre dhe kërcënojnë hapur dhe monstruozisht me vdekje presidentin Vuçiq. Ju nuk do ta trembni atë! Dhe ne nuk do t’ju lejojmë ta rrezikoni Serbinë për hir të interesave personale të mbështetura nga Kurti, ustashët dhe shërbimet e huaja”, ka shkruar kryeministri Vuçeviq.
Edhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, paralajmëron se protestat në gjithë Serbinë për shkak të nxjerrjes së litiumit po zhvillohen “sipas recetës së revolucioneve me ngjyra”.
“Qytetarët po bllokojnë stacionin hekurudhor të Prokopit, më i bukuri në këtë pjesë të botës, krenaria e të gjithë qytetarëve të Serbisë, të ndërtuar nga kjo qeveri”, tha ministri Daçiq dhe shtoi se do të marrin masa kundër “organizatorëve dhe drejtuesve, të cilët janë paralajmëruar nga policia, si dhe ndaj të gjithë autorëve të veprave penale dhe kundërvajtjeve do të ketë kallëzimeve penale dhe kundërvajtëse”.
Duke komentuar kërcënimet dhe mesazhet e autoriteteve, veçanërisht ato të kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, aktorja serbe dhe pjesëmarrëse e protestës “Nuk do të ketë minierë”, Svetlana Ceca Bojkoviq, kujton se kryeministri i Serbisë ka reaguar nga Parisi, jo nga Beogradi.
“Nëse protesta për njoftimin e minierës së litiumit, siç thotë kryeministri Vuçeviç, ishte një përpjekje për grusht shteti, pse Vuçeviq ndodhej në Paris? Në rast të kërcënimit të një grushti shteti, detyra e kryeministrit është të jetë në vend, të jetë në ‘Mejdanin e Beogradit’”, tha Bojkoviq për televizionin e Beogradit N1.
Aktorja serbe e quajti luftën kundër minierave të litiumit – luftë për mbijetesë.
KUSH E SHKATËRON VUCIQIN
Para dhe pas protestës së Beogradit, mediat si në Serbi ashtu edhe në rajon spekulonin se kush ishte organizatori i vërtetë i demonstratës, d.m.th. i cili është i interesuar për rënien apo dobësimin politik të presidentit Aleksandar Vuçiq – Perëndimi apo Rusia.
Duke komentuar paralajmërimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë se në Serbi “kjo është një skemë famëkeqe, e cila është përdorur vazhdimisht në Ballkan nga ideologët perëndimorë të “demokracisë katrore” dhe “shërbëtorët e tyre vendas”, lëvizja serbe Dveri njoftoi se Rusia nuk guxon t’i shikojë ngjarjet politike në mënyrë të njëanshme në Serbi dhe të qëndrojë vazhdimisht në anën e qeverisë aktuale.
“Moska zyrtare duhet t’i vëzhgojë ngjarjet politike në Serbi nga prizmi i interesave të popullit serb, sepse nëse Serbia mbetet sovrane, do të përfitojë edhe populli ynë mik rus”, theksojnë Dveri.
Nga ana tjetër, Aleksandar Olenik kujton se Gjermania ka marrë miratimin e presidentit Vuçiq për nxjerrjen e litiumit në Serbi dhe se Perëndimi nuk ka asnjë interes që ta destabilizojë politikisht kreun e shtetit serb.
“Bashkimi Evropian dhe SHBA-të nuk kanë asnjë interes ta rrëzojnë Vuçiqin. Mendoj se atyre u përshtatet gjendja aktuale, ndaj nuk besoj se qëndrojnë pas tentativës për destabilizimin e regjimit të Vuçiqit. Nga ana tjetër, kur është fjala për Rusinë, sapo i dëgjon të betohen publikisht në dashuri, në vëllazëri sllave, ortodokse, dihet se pas kësaj fshihet një lloj mashtrimi apo tradhtie. Epo, sa herë, për shembull, Beogradi zyrtar është betuar publikisht për miqësi dhe afërsi me Moskën, ndërsa në të njëjtën kohë – drejtpërdrejt ose përmes vendeve të treta – Serbia po eksporton sasi të mëdha armësh dhe municionesh në Ukrainë? Dua të them se nuk jam shumë i sigurt se Vuçiq në pushtet në Serbi i përshtatet Rusisë në këtë moment; aq më tepër që e ka zgjidhur Kosovën”, thotë Olenik për RTKLive.
I pyetur se si e ka “zgjidhur” Kosovën presidenti serb, Olenik është përgjigjur se “ajo temë ka kohë që është mbyllur”.
“Nga shteti serb, shëndetësia dhe arsimi kanë mbetur në Kosovë, të cilat Serbia do të vazhdojë t’i financojë edhe pasi të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Negociatat dhe marrëveshjet e tjera kanë kohë që e kanë humbur kuptimin. Republikës së Serbisë nuk i ka mbetur asgjë për t’i dorëzuar Kosovës, të cilën ajo nuk e kishte dorëzuar më parë dhe nuk e kishte humbur me luftën apo negociatat e deritanishme”, thotë Olenik.
SHKREPËSA NË DUART RUSE
Sipas bashkëbiseduesit të RTK Live, për Rusinë Kosova është një “shkrepës” me të cilën gjithmonë mund t’i vërë flakën Ballkanit.
“Nëse Vuçiq e hoqi çështjen e Kosovës nga agjenda, dhe unë mendoj se po, atëherë ai e zvogëloi ndjeshëm fuqinë shkatërruese të Moskës në Ballkan. Kjo nuk i shkon për shtat Kremlinit, ndaj ai po kërkon burime të reja shkatërrimi. Tjetra është Bosnja dhe Hercegovina, pra entiteti Republika Srpska, e cila ka potencialin të ndezë sërish Ballkanin”, thotë avokati beogradas dhe shton se edhe pse nuk ka prova të forta për pretendimin e tij, ai është i bindur se Rusia, ndryshe nga Perëndimi, ka një interes ta rrëzojë presidentit Vuçiq.
“Protestat në të gjithë Serbinë mund të jenë një lloj paralajmërimi për Vuçiqin”, thotë Olenik.
I pyetur se çfarë mund të pritet në periudhën e ardhshme, Olenik thotë se vazhdimi i protestës është realist.
“Qytetarët janë të motivuar që të vazhdojnë me aksione që, padyshim, nuk përfshijnë më vetëm protestë paqësore, por edhe bllokime të rrugëve. Që është një lloj mosbindjeje qytetare. Jam i sigurt se ka vullnet dhe mbështetje te qytetarët edhe për këtë lloj aksioni. A do të kenë sukses organizatorët që të artikulojnë protestat, do të shohim, megjithatë, kapaciteti dhe motivimi i qytetarëve është i dukshëm. Në këtë kuptim nuk e përjashtoj forcimin e mosbindjes civile dhe në rrugë”, thotë në fund avokat Aleksandar Olenik.
Tamara Nikçeviq është bashkëpunëtore e RTK-së dhe trajton tema nga rajoni