Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një konference të thirrur për media reagoi në lidhje me situatën e krijuar në Veri të vendit.
Kurti mes tjerash tha se Serbia po provokon konflikt serioz dhe se po dëshiron të eskalojë situatën.
“Serbia po provokon konflikt serioz. Ftesës së Brukselit për bisedime i jemi përgjigj pozitivisht, prandaj provokimet e tilla pengesat e bllokadat e krijuara përfshirë edhe sulmet janë të tilla sepse frika dhe kaosi ka qenë e vetmja formë e mbijetesës të saj”, tha Kurti.
Ai gjithashtu i bëri ftesë qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe të mos manipulohen nga askush.
“I ftojmë qytetarët në Veri pa përcaktime fetar e etnik, te respektojnë ligjet dhe të mos manipulohet nga ata qe fitojnë politikisht vetëm fal tensioneve. Pra, sot vërtetuam se ne sot i kemi pikat kufitare, pasi i kemi njësit tona special qe po i mbrojnë pikat kufitare”, tregoi ai.
Por, mbështetje të plotë Njësisë Speciale të Kosovës i dhanë edhe krerët e tri partive opozitare në vend.
Ishte kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ai i cili tha se partia e tij dhe vetë ai kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me kryeministrin Kurti lidhur me situatën në veri. Madje, ai ftoi të gjitha partitë për unitet.
“Gjendja e tensionuar në Veri kërkon unitet të plotë, prandaj propozoj që Kryeministri të mbledhë spektrin politik në vend, të ftojë partitë parlamentare në takim – pozitë e opozitë pa dallim, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha kapcitetet tona, vendore e të jashtme, për të mbrojtur interesat tona shtetërore sot”, shkruan ndër të tjera ai.
Mbështetje të plotë, Policia e Kosovës mori edhe nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili tha se e mbështet fuqishëm Policinë e Kosovës.
Gjithashtu, Haradinaj i bëri thirrje BE-së që të ndërhyj te Beogradi që të mos e provokojë situatën.
“Pavarësisht se si janë zhvilluar gjërat, se si është marrë vendimi për targat, ajo që po ndodh në veri të vendit është e papranueshme. E mbështes fuqishëm Policinë e Kosovës dhe institucionet e vendit të cilat janë vënë në mbrojtje të rendit dhe të ligjit”, ka shkruar ai.
E mendimit të njëjtë me partitë e lartcekura ishte edhe PDK.
Kryetari i saj, Memli Krasniqi tha se me mendje dhe zemër janë me Policinë e Kosovës.
Ai gjithashtu u bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të reagojë urgjentisht në nivelizimin e situatës të nxitur nga Serbia.