Opozita në protestë para bashkisë së Tiranës, hidhen sërish molotovë

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, grupi i Rithemelimit të Partisë Demokratike si dhe Partia e Lirisë zhvilluan sot protestën e radhës përpara bashkisë së Tiranës, ku kërkuan dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Edhe në protestën e organizuar sot, e cila është e 13-ta në radhë e organizuar nga opozita, protestuesit po ndjekin të njëjtin skenar si në protestat e shkuara, duke hedhur molotovë drejt godinës së bashkisë, si dhe duke demonstruar akte dhune.

Ndërkohë, Policia ka marrë masa për mbarëvajtjen e rendit të sigurisë, ndërsa u ka bërë thirrje organizatorëve të distancohen nga dhuna. Forcat e Policisë kanë krijuar po ashtu një perimetër sigurie rreth bashkisë.

Në fjalën e mbajtur gjatë protestës, drejtuesi politik i PD-së për degën e Tiranës, Belind Këlliçi i bëri thirrje prokurorëve të SPAK dhe kreut të Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani të tregojnë se janë prokurorë të shtetit.

Ai siguroi se protestat do të vijojnë dhe se demokratët nuk do të dorëzohen pavarësisht presioneve. “Veliaj ka hyrë në histori si personi që ka shkelur e rrëzuar reformën në Drejtësi. Ne nuk do të tërhiqemi pavarësisht presioneve”, tha ai.

Shefi organizativ i PD-së, Klevis Balliu tha se “nuk do të ndalen deri sa të rrëzojnë qeverinë”. Ai i bëri thirrje policisë që të arrestojë hajdutët dhe mos të merret me qytetarët.

“Vetëm në këto dy ditët e fundit kemi denoncuar drejtoreshat e këtij institucioni që i japin tendera njerëzve të vetë. Kjo protestë dhe kjo qëndresë do të zgjasë deri sa Shqipëria të ketë drejtësi dhe të jetë si gjithë Europa”, tha Balliu.

Protesta e opozitës para godinës së bashkisë zgjati rreth 40 minuta dhe më pas u shpërnda.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika