Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) lidhur me ngjarjet mbi hyrjen e mbështetësve të presidentit amerikan, Donald Trump, në ndërtesën e Kongresit Amerikan në kryeqytetin Washington të SHBA-së ka bërë thirrjen për “sigurimin e rregullit në mënyrë paqësore dhe respektimin e procesit demokratik”, transmeton Kosova Post.
Në një deklaratë me shkrim të bërë nga OSBE, përfshihen deklaratat e presidentes së radhës të OSBE-së dhe ministres së Jashtme suedeze, Ann Linde, si dhe të sekretares së përgjithshme të OSBE-së, Helga Schmid.
Në deklaratë theksohet se Linde dhe Schmid lidhur me zhvillimet në ndërtesën e Kongresit Amerikan dhe përreth kanë bërë thirrje për sigurimin e rregullit në mënyrë paqësore dhe respektimin e procesit demokratik.
Ministrja e Jashtme suedeze, Ann Linde, është shprehur se “Duhet të tregohet respekt ndaj rezultateve të zgjedhjeve demokratike dhe vlerave themelore të kushtetutës”.
Ndërsa sekretarja e përgjithshme e OSBE-së, Helga Schmid, pasi ka shprehur shqetësimin e saj nga këto zhvillime ka deklaruar se “Jam e shqetësuar që dëshmoj këto sulme kundrejt parimeve dhe institucioneve demokratike në Washington”. (AA)