Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, duke iu referuar bisedimeve dhe marrëdhënieve mes Shkupit dhe Sofjes tha se askush nuk po negocion për identitetin, gjuhën dhe atributet tjera identitare, transmeton Kosova Post.
Ai sot iu drejtua anëtarëve të Komisionit parlamentar për politikë të jashtme, ku informoi për rrjedhën e bisedimeve dhe për marrëdhëniet e përgjithshme ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Duke theksuar se ekipi shtetëror udhëhiqet tërësisht nga qëndrimet, nga pozita shtetërore, ministri Osmani tha se çdo çështje në bisedimet me Sofjen kalon nëpër disa filtra, siç janë ekspertët dhe diplomatë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, profesionistë që merren me këto çështje në diplomaci, pavarësisht se kush është pushteti politik në vend.
“Kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme, dua ta përsëris qartë dhe me zë të lartë, askush nuk po negocion për identitetin. Gjuha dhe atributet e tjera identitare janë çështje që dalin nga e drejta e vetëvendosjes së çdo personi, e çdo kombi, e çdo bashkësie etnike, e çdo shteti dhe është një e drejtë e paprekshme më e fortë se çdo e drejtë tjetër. Ne nuk kemi negociuar për këto çështje, as nuk kemi të drejtë të negociojmë dhe as që do të negociojë dikush ndonjëherë”, tha ministri Osmani.
Sipas tij, në bisedime nuk ka asgjë spektakolare me të cilën duhet të frikësohen qytetarët.
“Bisedimet janë ende në fazën e shkëmbimit të ideve, non-papers, dokumenteve të punës, madje edhe bisedimeve të rëndomta dhe për këtë ne ende nuk kemi mundësi t’i prezantojmë këtu sepse nuk janë propozime të dakorduara. Nuk mund të paraqisni dokumente të paplota pune në mes të bisedave, sepse kështu i prishni bisedimet”, potencoi Osmani.
Ministri shtoi gjithashtu se në momentin e parë kur versionet e punës bëhen të pranueshme për të dyja palët, para se të miratohen apo të vihen në funksion, ato do t’i dërgohen me shkrim si Komisionit ashtu edhe deputetëve./aa