Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka përkujtuar përvjetorin e Betejës së Koshares, njërën ndër betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Osmani ka thënë se në këtë ditë, kujtojmë me respekt heronjtë e Betejës së Koshares dhe të luftës çlirimtare të UÇK-së.
“Beteja e Koshares dëshmoi fuqishëm se sakrifica për liri është shumë e lartë, por liria nuk ka çmim. Rënia heroike e komandantëve Salih Çekaj, Agim Ramadani, Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaçi dhe komandantëve e luftëtareve të tjerë, dëshmoi se Beteja e Koshares ruan vend nderi në kujtesën tonë kolektive”, ka deklaruar Osmani.
Presidentja ka theksuar se përulemi para trimërisë dhe sakrificës së luftëtarëve të lirisë nga Poroji i Tetovës, Tirana e Tropoja, Tuzi e Presheva dhe vullnetarëve nga vende të tjera, të cilët iu bashkuan luftës së popullit të Kosovës për liri dhe dinjitet.

























