Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se procesi i dialogut me Serbinë nuk duhet ndërlidhur me liberalizimin e vizave, ngase sipas saj Kosova tashmë ka plotësuar kriteret për liberalizim vizash, pavarësisht se ka pas dyfish kritere më shumë se sa vendet e tjera.
Osmani këto deklarata i bëri pas takimit që pati me ministrin kroat për punë të Jashtme dhe Çështje Evropiane Gordan Grliq Radman nga i cili ka kërkuar mbështetjen kroate në këtë proces
“Kosovës duhet t’i jepet liberalizimi i vizave menjëherë, sepse Kosova i ka plotësuar kriteret ndërkaq BE-ja duhet ta mbajë premtimin e jo ta konsiderojë liberalizim si peng të procese të tjera”, ka theksuar Osmani, transmeton Klan Kosova.
Më tej, e para e shtetit ka thënë se Kosova dhe Kroacia kanë shumë çështje që i lidhin, ndaj në këtë kontekst ka përmendur numrin e përafërt të personave të zhdukur me dhunë nga regjimi serb gjatë luftërave të viteve të 90-ta, duke shtruar nevojën për bashkëpunim konkret për zbardhjen e fatit të tyre.
Ndërkaq ministri Radman ka potencuar se shteti i tij e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj evropiane, sikurse edhe në procesin e liberalizimit të vizave.