Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka falënderuar presidentin e Turqisë, Recep Taip Erdogan dhe të gjitha institucionet turke për mikpritjen dhe mbështetjen gjatë Forumit Diplomatik të Antalyas, përcjell KosovaPost.
Me anë të një postimi në Facebook, Osmani ka shkruar se njohja nga Sudani dhe diskutimet me përfaqësues që nuk e kanë njohur Kosovën, dëshmojnë përkushtimin tonë për ndërtimin e miqësive të reja.
“Një falenderim i veҫantë për Presidentin Erdoğan, Zonjën e Parë Emine Erdoğan dhe të gjitha institucionet turke për mikpritjen dhe mbështetjen e shtetit tonë përgjatë Forumit Diplomatik të Antalyas, e cila është një platformë e rëndësishme për t’i thelluar raportet tona me aleatët tanë dhe për të krijuar partneritete të reja”, tha Osmani.
“Njohja nga Sudani dhe diskutimet konkrete me përfaqësues të vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, si dhe takime me shumë partnerë të tjerë, dëshmojnë përkushtimin tonë për ndërtimin e miqësive të reja dhe forcimin e aleancave ekzistuese”, ka shkruar Osmani.
“Kosova çdo ditë e më shumë po e fuqizon pozitën e saj në arenën ndërkombëtare falë punës së pandalshme dhe mbështetjes së miqve që gjithnjë na qëndruan pranë”, shkroi në fund Osmani teksa publikoi edhe disa fotografi nga takimet që ka zhvilluar në Forumin Diplomatik në Antalya të Turqisë.