Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dje ka pritur në takim disa nga shefat e misioneve diplomatike dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Kosovë, të cilët janë të angazhuar në fushën e drejtësisë.
Presidenca ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me përgatitjet për procesin e themelimit të Komisionit Presidencial për Drejtësinë Tranzicionale.
“Nisma për themelimin i këtij Komisioni buron nga Strategjia për Drejtësinë Tranzicionale e Republikës së Kosovës. Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe angazhimin e të pranishmëve ndaj këtij procesi, si dhe njoftoi se gjatë javëve në vijim do të vazhdojnë takimet edhe me përfaqësues të tjerë nga organizatat përfaqësuese të viktimave, shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar, me qëllim të finalizimit të fillimit sa më të shpejtë të punës së këtij komisioni”, thuhet në njoftim./teve1.info/