Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Luksemburgut, njëherësh zëvendëskryeministër dhe ministër i Tregtisë Xavier Bettel, transmeton KosovaPost.
Osmani dhe Bettel, diskutuan për situatën aktuale politike dhe të sigurisë në Kosovë, forcimin e marrëdhënieve dypalëshe si dhe nxitjen e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.
Ajo e falënderoi kryediplomatin e Luksemburgut, për mbështetjen e vazhdueshme dhe në të njëjtën kohë shtroi nevojën që ajo të vazhdojë me mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Sipas të parës së shtetit, Kosova vazhdon të mbetet e palëkundur në rrugën e saj drejt integrimit evropian, ndaj në këtë drejtim ka bërë përparim të dukshëm në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.
Më tej, Presidentja Osmani potencoi se progresi në Agjendën e Reformave Evropiane, reflekton një gatishmëri të fortë për anëtarësim në BE.
“Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të përmbushur kriteret e BE-së, duke zbatuar reforma që nxisin stabilitetin rajonal dhe rrisin qëndrueshmërinë ekonomike”, tha ajo.
“Presidentja Osmani përgëzoi ministrin Bettel për objektin e ri të ambasadës së Luksemburgut në Kosovë, i cili inaugurohet sonte, duke shfaqur besimin se kjo krijon parakushte për intensifikim të raporteve ndërmjet dy shteteve”, thuhet në njoftim.
Ndër të tjera, Osmani dhe Bettel, diskutuan edhe për mundësitë për rritjen e bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.