Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim delegacionin e Asamblesë Rajonale të Evropës, pjesë e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, të udhëhequr nga senatorja belge Anne Lambelin.
Në këtë takim sipas njoftimit, presidentja Osmani ka riafirmuar përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave frankofone dhe ka theksuar se Kosova aktualisht është anëtare e asocuar në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë, ndaj pranimi me të drejta të plota në kuadër të Organizatës Ndërkombëtare Frankofonisë është jo vetëm një prioritet kyç, por edhe hap thelbësor për forcimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, si vlera të përbashkëta të vendeve frankofone
Ndër të tjera, e para e vendit e ka njoftuar delegacionin edhe për avancimin e agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke theksuar se Kosova tashmë është shndërruar në shembull pozitiv në nivel global.
Në këtë frymë, presidentja ka theksuar se përmes ngritjes së statusit të Kosovës në ONF, do të thellohet edhe më tej bashkëpunimi me shtete tjera anëtare në zhvillim të qëndrueshëm, promovimin e diversitetit kulturor e gjuhësor, arsim e hulumtime shkencore, si dhe në fusha tjera të interesit të ndërsjellë, raporton KosovaPost.