Vjosa Osmani, presidente e Kosovës në pritjen shtetërore në rastin e 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, tha se 16 vjet më parë ne hodhëm një hap historik drejt forcimit të lirisë sonë duke hapur një kapitull të ri që u kurorëzua me shpalljen e Kosovës Republikë.
“17 Shkurti do të mbahet në mend përherë si një pikë kthese historike dhe një kapitull gëzimi në historinë moderne të vendit tonë, por është, po ashtu, një përkujtim i çdovitshëm i barrës së lartë të përgjegjësisë që peshon mbi supet tona për ta ndërtuar dhe kultivuar një shtet të bazuar në parimet e lirisë barazisë e drejtësisë”, tha presidentja Osmani.
E para e vendit falënderoi mbështetjen e aleatëve tanë ndërkombëtarë, të cilët ndihmuan në rrugëtimin e Kosovës në bërjen shtet.
“Ashtu si në ditët tona më të errëta, ata qëndruan pranë nesh edhe në rrugëtimin me sfida plot të shtet ndërtimit . Suksesi i Kosovës është edhe sukses i partnerëve dhe i aleatëve tanë, andaj derisa ecim përpara me vizion të qartë për të ardhmen euroatlantike, aleancat mbeten kyçe, partneritetet thellësisht të rëndësishme e bashkëpunimi është çelësi që na sjellë afër së ardhmes më të denjë e më premtuese”, u shpreh, mes tjerash, presidentja Osmani./rtk