Palestina ka dënuar ashpër vendimin e SHBA-së për të vënë veto ndaj një projektrezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të enjten që kërkonte anëtarësimin e plotë të saj në Kombet e Bashkuara, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Presidenca e Palestinës e quajti këtë hap si “të padrejtë, joetik dhe të pajustifikueshëm, që sfidon vullnetin e komunitetit ndërkombëtar”.
Ajo theksoi se kjo politikë agresive amerikane ndaj Palestinës, popullit të saj dhe të drejtave të tyre legjitime përbën një shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar.
Në deklarata gjithashtu thuhet se vetoja e SHBA-së inkurajon vazhdimin e luftës gjenocidale të Izraelit kundër popullit palestinez në Gaza dhe Bregun Perëndimor, duke përfshirë Kudsin e pushtuar.
Presidenca nënvizoi se vetoja ekspozon kontradiktat në politikën e SHBA-së, e cila pretendon se mbështet një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, ndërkohë që pengon komunitetin ndërkombëtar të zbatojë këtë zgjidhje nëpërmjet përdorimit të përsëritur të vetos.
Këshilli prej 15 anëtarësh u mblodh në New York për të votuar një projektrezolutë të përgatitur nga Algjeria që rekomandon pranimin e Shtetit të Palestinës për anëtarësim në OKB.
Për projektrezolutën kishte 12 vota pro dhe dy abstenime, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Zvicrën.
Përpara votimit, i dërguari i Algjerisë në OKB Amar Bendjama tha se është koha që Palestina të zërë vendin e saj të merituar midis komunitetit të kombeve dhe se kërkimi i anëtarësimit në OKB është një shprehje themelore e vetëvendosjes palestineze.
Palestina u pranua si shtet vëzhgues i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në vitin 2012, duke i lejuar të dërguarit të saj të merrte pjesë në debate dhe organizata të OKB-së, por pa votim.
Shtetet pranohen në anëtarësim në OKB me vendim të Asamblesë së Përgjithshme me rekomandimin e Këshillit të Sigurimit, sipas Kartës së OKB-së.
Për të kaluar, një rezolutë e këshillit ka nevojë për të paktën nëntë vota pro dhe asnjë veto nga anëtarët e përhershëm – SHBA-ja, Britania, Franca, Rusia ose Kina.
Kërkesa e Palestinës për anëtarësim të plotë në OKB vjen në mes të ofensivës vdekjeprurëse izraelite në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit të kaluar, e cila ka vrarë afro 34.000 palestinezë.