Në deklaratë thuhet se vizita e Lapid në Bahrein dhe hapja e ambasadës izraelite në territorin e Bahreinit është “një krim i kryer kundër Islamit”, transmeton Kosova Post.
Grupet palestineze dënuan pritjen që Bahreini i bëri ministrit të Jashtëm izraelit, Yair Lapid dhe hapjen e ambasadës së këtij vendi në Bahrein, shkruan AA.
Hamasi, Xhihadi Islam, Komitetet e Rezistencës Popullore Palestineze, Fronti për Luftë Kombëtare, Lëvizja Muxhahedine dhe Lëvizja e Lirive bënë një deklaratë të përbashkët lidhur me vizitën e ministrit të Jashtëm izraelit Lapid në Bahrein.
Në deklaratë thuhet se vizita e Lapid në Bahrein dhe hapja e ambasadës izraelite në territorin e Bahreinit është “një krim i kryer kundër Islamit, nacionalizmit, arabizmit dhe popujve të Palestinës dhe Bahreinit”.
“Hapat për normalizim me Izraelin janë turpëruese”, thuhet në deklaratën në të cilën vihet në dukje se “Ky insistim i çuditshëm për të vazhduar tradhtinë e normalizimit, paraqet dimensionin e rënies së moralit ku kanë arritur regjimet që normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin”.
Në deklaratë bëhet e ditur se administratat e vendeve arabe që hedhin hapa për normalizim me Izraelin janë në kundërshtim me dëshirën e popujve të tyre.
Ministri i Jashtëm izraelit, Lapid ditë më parë gjatë vizitës në Bahrein u takua me mbretin, Hamad bin Isa Al Khalifa dhe ministrin e Jashtëm, Abdullatif bin Rashid Al Zayani si dhe bëri hapjen zyrtare të ambasadës së vendit të tij në kryeqytetin Manama.
Qytetarët e Bahreinit protestuan vizitën e Lapid
Lëvizja Al-Wefaq në Bahrein protestoi në kryeqytetin Manama vizitën e ministrit të jashtëm izraelit, Lapid në vend.
Dhjetëra persona me flamujt palestinezë në duar hodhën slogane kundër Izraelit dhe mbajtën në duar pankarta dhe parulla që protestonin marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes Bahreinit dhe Izraelit.