Situata e sigurisë në rajonin e Ballkanit po vlerësohet se është shumë e ndjeshme. Drejtori i lartë i politikave për qendrën për kontrollin dhe mospërhapjen e armëve, John Erath, thotë se Perëndimi duhet ta rris vëmendjen në rajon sepse situata mund të përshkallëzoj nga retorika nacionaliste.
Javë më parë në raportin e publikuar nga inteligjenca amerikane thuhet se përgjatë vitit 2024 mund të ketë konflikte etnike në Ballkanin Perëndimor.
Situatë e ndjeshme e sigurisë vlerësohet të jetë në Bosnje Hercegovinë dhe ne veriun e Kosovës.
Udhëheqësi nacionalist i serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, ka paralajmëruar disa herë se do tërheqë rajonin serb, të njohur si Republika Sërpska, nga institucionet shtetërore të Bosnjës.
E për shkak të aktiviteteve destabilizuese Dodik është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e ka përjashtuar mundësinë që Serbia ta sulmojë sërish në veriun e vendit.
Se situata është shumë e serioze në Ballkan e thotë edhe eksperti amerikan, John Erath.
“Situata e sigurisë është shumë serioze në rajon, andaj duhet të rritet vëmendja e Perëndimit që situata të mos përshkallëzoj. Vetëm të kujtojmë se çfarë ndodhi përgjatë viteve të 90-ta, çfarë luftëra të ashpra u zhvilluan në rajon. E gjitha ndodhi për shkak të nacionalizmit. Nuk duhet lejuar në asnjë formë që tragjedi të tilla të përsëriten. Kyçe për sigurinë e rajonit është që Kosova dhe Serbia ta njohin njëra-tjetrën. Nuk mundet SHBA-ja e vetme ta mbaj paqen në rajon, pa pasur bashkëpunim te ngushtë me liderët e vendeve të Ballkanit”, vlerëson John Erath – drejtor i lartë i politikave për qendrën për kontrollin dhe mospërhapjen e armëve.
Drejtor i lartë i politikave për qendrën për kontrollin dhe mospërhapjen e armëve, John Erath, i ka ndërlidhur zhvillimet ne Ballkan edhe me luftën e Rusisë ndaj Ukrainës.
Sipas tij nëse Rusia shënon sukses ne fund të luftës me Ukrainën, atëherë do të krijohet një precedent i rrezikshëm.
“Bota është bërë e paparashikueshme dhe kemi një luftë shumë të rëndë që po zhvillohet mes Rusisë dhe Ukrainës. Nëse Rusia lejohet të arrij sado pak sukses ndaj shtetit fqinj atëherë do te jetë një sinjal i keq për botën, sepse do t’i shtyje edhe vendet e tjera të mendojnë për përdorimin e forcës në vend të diplomacisë. Pra, konsideroj se është shume e rëndësishme që të ndalohet Rusia, dhe të gjithë ne kemi përgjegjësi që ta ndihmojmë Ukrainën”, thotë Erath.
Së fundmi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërcënuar hapur se në një moment të favorshëm Serbia edhe mund ta sulmojë Kosovën.