Ministria e Shëndetësisë është duke konsideruar rishikimin e masave antiCOVID, kjo pas rritjes së rasteve me coronavirus që është duke vazhduar tash e disa ditë në vendin tonë, përcjell KosovaPost.
Kështu ka konfirmuar për “Telegrafi”, Drin Podrimqaku, këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë.
“Ministria e Shëndetësisë po i konsideron rishikimin e masave antiCovid, sipas rekomandimeve të ekspertëve shëndetësor dhe të dhënave të gjendjes epidemiologjike nga institucionet shëndetësore”, konfirmoi ai.
Ndryshe, në 24 orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 144 raste të reja me coronavirus.
Aktualisht në fuqi vazhdon të jetë ora policore, ku pas orës 24:00 deri në 05:00 ndalohet lëvizja e qytetarëve, përveç rasteve urgjente.
Sa i përket vaksinimit, deri tani në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.687.782 doza të vaksinës. Deri më sot 788.240 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.
Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, bënë thirrje për vaksinim dhe respektim të masave anti-COVID, si armë të vetme dhe të dëshmuara kundër virusit Corona.
Kryeministri dhe ministri i Shëndetësisë ritheksuan se Qeveria është në krye të detyrës dhe bashkë me autoritetet shëndetësore, është duke monitoruar vazhdimisht situatën epidemiologjike, në konsultim me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.