Nëpërmjet një reagimi, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), kanë shprehur pakënaqësinë pas kritikave që Ministrja Albulena Haxhiu ua adresoi këtyre institucioneve, raporton Kosova Post.
Në reagim thuhet se KGJK i siguron të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se do të vazhdojë të angazhohet për një sistem gjyqësor të pavarur, transparent dhe të paanshëm. Po ashtu ky institucion, i ka bërë thirrje Ministres së Drejtësisë “që të përmbahet rreth çfarëdo deklarate që interferon në pavarësinë e gjyqësorit.”
Ky është reagimi i plotë:
Prishtinë, 11.08.2021 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), reagon në shkrimin e portalit KOHA.net, të datës 11.08.2021 me titullin: ”Haxhiu: S’mund t’i mbështes KPK-në dhe KGJK-në nëse i mbyllin sytë para skandaleve” si dhe ndaj deklarimeve të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se nuk dëshiron të mbështesë KGjK-në kur Këshilli do t’i mbyll sytë përballë skandaleve.
KGjK, shpreh pakënaqësi dhe reagon lidhur me këtë shkrim duke njoftuar opinionin e gjerë, përfshirë edhe mediat, se Këshilli Gjyqësor, si institucion i pavarur, është duke i përmbushur përgjegjësitë e tij kushtetuese dhe ligjore.
Reagimet dhe deklarata e Ministres Haxhiu nuk i kontribuojnë bashkëpunimit të institucioneve sepse përgjegjësitë e institucioneve për komunikim dhe bashkëpunim përcaktohen me Kushtetutë dhe ligj, dhe jo nga vullnetet personale.
Përndryshe, KGjK, ka mekanizmat e vet për adresimin e secilës çështje që është përgjegjësi e KGjK-së, andaj çfarëdo përpjekje nga jashtë, përfshirë edhe deklaratat e Ministres Haxhiu, janë pa ndikim në mënyrën se si funksionon ky Këshill.
Këshilli Gjyqësor, i siguron të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se do të vazhdojë të angazhohet për një sistem gjyqësor të pavarur, transparent dhe të paanshëm dhe i bën thirrje Ministres së Drejtësisë që të përmbahet rreth çfarëdo deklarate që interferon në pavarësinë e gjyqësorit.