Aktori thotë se po bashkëpunon me autoritetet për të kuptuar se si shkrepi arma rekuizite dhe qëlloi dy anëtarët e ekipit, transmeton Kosova Post.
Aktori Alec Baldwin lëshoi një deklaratë të premten duke shprehur tronditjen e tij pas të shtënës nga arma rekuizite që po mbante, duke lënë të vdekur një kinematografisten, ndërsa regjisorin të plagosur, shkruan AA.
“Nuk ka fjalë për të përshkruar tronditjen dhe pikëllimin tim në lidhje me aksidentin tragjik që mori jetën e Halyna Hutchins, një gruaje, nëne dhe kolege e jona shumë e admiruar”, tha 63-vjeçari Baldwin në një postim në Twitter.
“Jam me zemër të thyer për burrin e saj, djalin e tyre dhe të gjithë ata që e njihnin dhe e donin Halyna-n”, tha ai.
Hutchins 42-vjeçare, ishte kinematografiste e filmit “Rust”, i cili po xhirohej në një pjesë rurale të shtetit amerikan New Mexico. Regjisori i filmit, 48-vjeçari Joel Souza, gjithashtu u plagos, por nuk ishte e qartë për natyrën e plagës së tij dhe ai u trajtua dhe u lirua nga një spital në New Mexico më vonë.
Baldwin shtoi se po “bashkëpunon plotësisht” me hetimin e policisë lidhur me atë që duket të jetë një aksident.
Në një set fotografish, Baldwin shihet me pamje të shqetësuar duke folur në telefonin e tij celular pas të shtënës.
Gjerësisht është raportuar se Baldwin mund të mos e ketë ditur se mbante në dorë një armë “të zjarrit” e cila kishte plumba metalike brenda kur e qëlloi.
Departamenti i Sherifit të Qarkut Santa Fe lëshoi një deklaratë ku thuhet se “Detektivët po hetojnë se si dhe çfarë lloji i plumbave (nga arma rekuizite) është shkrepur”.
Xhirimet janë ndërprerë, të paktën përkohësisht, kurse zëdhënësi i kompanisë së producentit të filmit lëshoi një deklaratë ku thoshte se: “E gjithë ekipi i aktorëve janë të pikëlluar tepër nga tragjedia e sotme dhe ne shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjen dhe të dashurit e Halyna-s”.
Rasti i fundit ringjalli kujtimet e vdekjes së aktorit Brandon Lee, djalit të Bruce Lee, i cili u vra nga një armë rikuizite, i qëlluar nga një yll, gjatë xhirimeve të filmit “The Crow”, në vitin 1993. Arma rekuizite ishte mbushur gabimisht me një plumb të kalibrit 44, në vend të plumbit manovrik.
Familja Lee shprehu ngushëllime për familjet Hutchins dhe Souza.