Më shumë se 1,000 njerëz janë vrarë që nga fillimi i një ofensivë të gjerë ushtarake nga Izraeli në veriun e Gazës, ka deklaruar Mahmoud Basal, zëdhënësi i mbrojtjes civile të Gazës.
Ai theksoi se bombardimet intensive izraelite kanë vazhduar pa ndërprerje për 22 ditë në zona si Jabalya, Beit Lahiya dhe Beit Hanoun, duke penguar gjithashtu ekipet e mbrojtjes civile dhe ato mjekësore të hyjnë në këto zona.
Basal shpjegoi se ata që po bombardohen në veriun e Gazës nuk kanë asnjë akses në ndihmë mjekësore.
“Ne po përballemi me një situatë të vështirë dhe tragjike”, tha ai, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.
Përveç më shumë se 1,000 të vdekurve të konfirmuar, shumë të tjerë ndodhen nën rrënoja apo nëpër rrugë, shtoi Basal.
Ai apeloi për ndihmë nga organizatat ndërkombëtare, duke theksuar se qytetarët në veri të Gazës po përballen me një situatë masakre dhe bombardimesh direkte.
“Kërkojmë gjithashtu që organizatat si Kryqi i Kuq të ndërhyjnë dhe të lejojnë ekipet e mbrojtjes civile dhe spitalet të kryejnë detyrat e tyre humanitare,” tha ai.
“Ndryshe, jeta e mbi 100,000 qytetarëve që kanë mbetur në shtëpitë e tyre në veriun e Gazës është në rrezik serioz”, përfundoi Basal.