Komisioni Evropian ka thënë të mërkurën se pret që Serbia t’i hetojë në mënyrë transparente të gjitha ankesat për parregullsi gjatë zgjedhjeve të mbajtura më 17 dhjetor të vitit të kaluar.
Kështu ka thënë Komisionari evropian Didier Reynders, i cili ka përfaqësuar Komisionin Evropian në debatin për zgjedhjet në Serbi, që është zhvilluar në Parlamentin Evropian.
Sipas tij, shqyrtimi i parregullsive vlen edhe për burimet lokale, si në Beograd, ashtu edhe në komunat tjera.
Debati për Serbinë është futur në rendin e ditës të seancës plenare të Parlamentit Evropian pasi një grup partish politike kanë bërë kërkesë për mbajtjen e një debati të jashtëzakonshëm.
Kërkesa është bërë prej socialdemokratëve, liberalëve, të gjelbërve dhe të majtëve.
Gjatë debatit të 17 janarit, dorëzuesi i kërkesës, Andreas Schider, ka thënë se në vend që të kërkohet transparencë, “presidenti dhe kryeministri i Serbisë kritikojnë vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve në mënyrën më të ashpër dhe më të keqe”.
Ndër parregullsitë në zgjedhje, ai përmendi “votuesit fantazmë, blerjen e votave si dhe raportimin e njëanshëm mediatik”.
Parlamenti Evropian e ka pasur një mision vëzhgues për zgjedhjet në Serbi. Në krye të misionit ka qenë përfaqësuesi evropian, Klemen Groshell. /rel