Replika e kundër-replika në një emision televiziv mes ministrit Peci dhe analistit Visar Ymeri duke folur për mjetet financiare për ministrin e Bujqësisë në qeverisjen në të kaluarën mes PDK-së dhe LDK-së.
Ministri Peci ka harruar se në kohën sa ka qenë në qeverisje PDK-LDK, ai ka qenë këshilltar i ministrit Kujtim Shala.
Peci ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës ka abuzuar me mjetet financiare, duke shtuar se ka pasur një mbështetje politike.
“Sekret publik është që PDK ka ndiku në ministrin e Bujqësisë. Mënyra se si janë abuzu mjetet financiare në Ministrinë e Bujqësisë e kam thënë se ka pasur një mbështetje politike. Kjo mbështetje ka ardhur prej PDK-së”, ka thënë Peci.
Visar Ymeri i replikoi Pecit duke i thënë se për këtë duhet të ketë qenë i vetëdijshëm edhe partneri në Qeveri (LDK).
“Jo prej tjerëve (partnerëve) që kanë qenë atëherë me PDK-në? Nuk mundet me u mbështet krimi dhe korrupsioni në një ministri e partneri qeverisës që ka qenë, Isa Mustafa kryeministër, të mos jetë i vetëdijshëm për këtë”, tha Ymeri.
“Unë nuk shoh dallim mes PDK-së dhe Isa Mustafës”, deklaroi Peci.
I menjëhershëm ishte Ymeri duke ia rikujtuar se në atë qeverisje, këshilltar i ministrit Kujtim Shala të LDK-së ishte Faton Peci.
“Por, ju keni qenë këshilltar i ministrit Kujtim Shala në atë kohë. Dmth keni qenë pjesë e asaj qeverie”, i tha Ymeri-Pecit.