Pentagoni hodhi poshtë propozimin e Polonisë për të transferuar të gjithë avionët e saj luftarakë MiG-29 në bazën ajrore amerikane në Gjermani për mbështetjen e Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë, transmeton Kosova Post.
“Perspektiva e avionëve luftarakë ‘në dispozicion të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës’ që nisen nga baza e SHBA/NATO-s në Gjermani për të fluturuar në hapësirën ajrore që kontestohet me Rusinë mbi Ukrainën ngre shqetësime serioze për të gjithë aleancën e NATO-s”, tha John Kirby, zëdhënës i Pentagonit.
“Thjesht nuk është e qartë për ne se ka një arsye thelbësore për këtë”, tha ai.
Kirby tha se vendimi nëse do të transferohen avionët në pronësi të Polonisë në Ukrainë megjithatë i përket qeverisë polake.
Ai tha se SHBA-ja do të vazhdojë të konsultohet me aleatët dhe partnerët e saj në lidhje me ndihmën e vazhdueshme të vendit për sigurinë ndaj Ukrainës, duke shtuar se “Propozimi i Polonisë tregon vetëm disa nga kompleksitetet që paraqet kjo çështje”.
“Ne do të vazhdojmë të konsultohemi me Poloninë dhe aleatët tanë të tjerë të NATO-s për këtë çështje dhe sfidat e vështira logjistike që ajo paraqet, por ne nuk besojmë se propozimi i Polonisë është i qëndrueshëm”, tha Kirby.
Kujtojmë se Polonia shprehu gatishmërinë e saj për t’ia dorëzuar të gjithë avionët e saj MIG-29 SHBA-së.
“Autoritetet e Republikës së Polonisë, pas konsultimeve ndërmjet presidentit dhe qeverisë, janë të gatshme të vendosin, menjëherë dhe pa pagesë, të gjithë avionët e tyre MIG-29 në bazën ajrore Ramstein dhe t’i vendosin në dispozicion të Qeverisë së Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme polake.
Duke u bërë thirrje aleatëve të tjerë të NATO-s që zotërojnë avionë MIG-29 të “veprojnë në të njëjtën mënyrë”, vendi tha gjithashtu se i kërkoi SHBA-së të sigurojë “avionë të përdorur me aftësi operacionale të përshtatshme”.
“Polonia është e gatshme të vendosë menjëherë kushtet e blerjes së avionëve”, shtoi deklarata.aa