Presidenti rus Vladimir Putin, tha se vendet perëndimore gjithmonë do të gjejnë një mënyrë për të penguar Rusinë, transmeton Kosova Post.
Siç tha ai, të gjitha këto kanë të bëjnë me përpjekjet për të arritur qëllimet e tyre ekonomike.
“Kjo i referohet edhe kufizimeve të natyrës politike, pra sanksioneve. Në pamje të parë duket si një instrument politik, por në fakt është vetëm një instrument konkurrence”, theksoi ai.
Për ta konkretizuar, konkurrencën ekonomike të perëndimit, Putini mori shembull aeroplanin MS-21 të prodhimit rus.
“Është një avion civil, pra nuk është aspak industri mbrojtëse. Mirëpo, edhe Boingu amerikan kishte aeroplanin e vet që po mundohej ta plasonte në tregun botëror dhe për këtë na vendosën sanksione. Pikërisht për këtë na është dashur të zhvendosim afatet për daljen në treg me aeroplanin tonë”, ka thënë ai.
Putin, foli edhe për vaksinën ‘Sputnik Ve’ për të cilën tha ai është më efektive kundër variantit omicron.
“Sot, duket se Sputnik Ve-ja jonë po funksionon mirë dhe ndoshta edhe më mirë kundër omicron-it sesa vaksinat e tjera në botë”, tha ai në seancën plenare të kongresit të 30-të të sindikatës së industrialistëve dhe sipërmarrësve.
Putin shtoi se ekspertët do të japin një vlerësim përfundimtar të efektivitetit të Sputnik V kundër omicron në ditët në vijim, shkruan sputnik.rs. Ai theksoi se Moska është e gatshme të sigurojë vaksinën Sputnik Light, e cila është në një dozë, si një dozë përforcuese për vendet e tjera, përfshirë ato evropiane./sh.o./Kosova Post/