Pasi aplikacioni i njohur për mesazhe WhatsApp detyroi shumë përdorues të bien dakord për rregullat e reja të privatësisë, ata po kërkojnë alternativa për telefonat e tyre, transmeton Kosova Post.
Me ndryshimet e reja, Telegram Messenger është bërë aplikacioni më i shkarkuar i mesazheve në App Store në Turqi, ka mësuar AA.
Në vendin e dytë është Signal, një aplikacion i rekomanduar nga Elon Musk, shefi ekzekutiv i Tesla-s, i ndjekur nga vetë WhatApp dhe BiP, një aplikacion nga gjigandi turk i rrjetit celular Turkcell.
Për përdoruesit e Android, Telegram Messenger është renditur i pari në Play Store, i ndjekur nga WhatsApp dhe BiP.
BiP fitoi mbi 1,12 milion përdorues në vetëm 24 orë dhe aktualisht ka 53 milionë përdorues në gjithë botën, sipas të dhënave të ndara nga Turkcell.
Javën e kaluar, WhatsApp u dërgoi përdoruesve të saj politikën e përditësuar të privatësisë.
Ndryshimet përfshijnë ndarjen e të dhënave personale, të tilla si informacioni i llogarisë, mesazhet dhe informacioni i vendndodhjes me kompanitë e Facebook-ut. Në njoftimin dërguar përdoruesve u tha se aplikacioni nuk mund të përdoret nëse kushtet nuk pranohen.
Pas reagimeve të ashpra, WhatsApp njoftoi se përdoruesit në “rajonin e Evropës” nuk do të preken nga azhurnimi, pasi të dhënat e tyre nuk do të ndahen me kompanitë e Facebook-ut.
Por sipas faqes së internetit të aplikacionit, rajoni në fjalë përfshin vetëm vendet e BE-së, duke detyruar në mënyrë efektive përdoruesit në Turqi të miratojnë kushtet për të vazhduar përdorimin e aplikacionit.
Disa kanë dënuar standardin e dyfishtë të aplikacionit, duke thënë se WhatsApp ka frikë nga ndëshkimet nga vendet e BE-së sipas rregullave të sigurisë së të dhënave.