Kosova feston sot një përvjetor të rëndësishëm dhe një arritje ndërkombëtare në sport. 6 vite më parë, më 3 maj të vitit 2016, Kosova u bë anëtare me të drejta të plota në UEFA, në Kongresin e 40-të të mbajtur në Budapest.
Një arritje e madhe, që u bë e mundur pas një lobimi të gjatë ndërkombëtar dhe ku një kontributi të rëndësishëm ka pasur edhe Federata Shqiptare e Futbollit e cila e ka mbështetur FFK-në në çdo hap të këtij procesi historik.
Në këtë përvjetor të gjashtë, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka uruar FFK-në, presidentin Agim Ademi dhe komunitetin e futbollit në Kosovë në këtë datë historike për futbollin kosovar.
Më poshtë, letra e urimit:
Më lejoni që në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit por edhe timin personal t’i shpreh urimet më sinqerta FFK-së dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë në këtë përvjetor historik për futbollin kosovar.
Ndihem krenar për kontributin që Federata Shqiptare e Futbollit ka dhënë në procesin e njohjes ndërkombëtare të FFK-së dhe jam i bindur që bashkëpunimi me vëllezërit tanë të Kosovës do të vazhdojë me projekte të rëndësishme për zhvillimin e futbollit.
Mirënjohje përjetë edhe për ish-presidentin e ndjerë të FFK-së, legjendën Fadil Vokrri, i cili ka dhënë një kontribut historik për anëtarësimin e Kosovës në UEFA.
Urime Kosovë, gëzuar përvjetorin!