Kryetari i Partisë Popullore, Vuk Jeremiq, ka vlerësuar se, pas vizitës së kryetares së Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, në Beograd, nuk ka më asnjë dyshim se plani franko-gjerman do të thotë njohje e pavarësisë së Kosovës.
Jeremiqi tha në televizionin Insajder se nuk ka më vend për dyshime të tilla dhe se von der Leyen “u tha në mënyrë eksplicite medieve në mes të Beogradit se ky është një plan për njohjen e pavarësisë së Kosovës”.
Ai vlerësoi se zgjedhjet janë shansi i fundit për ta ndryshuar kursin aktual politik sepse, siç tha ai, Serbia është në rrugë të realizimit të atij plani.
Sipas tij, Serbia nuk duhet t’i bashkohet konflikteve të fuqive të mëdha, por duhet të jetë ushtarakisht neutrale, si dhe të mos vendosë sanksione ndaj askujt, përveç atyre të miratuara nga KS i OKB-së.