Policia e Vitisë ka bërë të ditur se me datën 31.05.2024 rreth orës 14:00 përmes rrugëve operative ka pranuar informacion se një femër kosovare nga Vitia në rrethana ende të pasqaruara është vënë në posedim të një arme zjarri duke u larguar më pas me veturën e saj në drejtim të panjohur.
Në bazë të informacioneve për gjendjen psikologjike momentale të saj dhe disa mesazheve të përcjella nga e dyshuara, ekzistonte dyshimi se e njëjta do të shkaktoj lëndime vetës apo personave të tjerë me armën të cilën e kishte në posedim.
“Falë reagimit të shpejtë, profesional dhe veprimeve të shpejta operative hetimore të njësitit të hetimeve rajonale të Drejtorisë Rajonale në Gjilan dhe bashkëpunimit me njësitin e hetimeve rajonale të Drejtorisë Rajonale Prishtinë e dyshuara është arritur që të identifikohet, lokalizohet dhe arrestohet afër një qendër tregtare në qytetin Prishtinës pa i shkaktuar asnjë pasojë e pa lënduar vetën apo të tjerët. Po ashtu gjatë arrestimit nga e dyshuara është konfiskuar edhe arma e zjarrit të cilën e dyshuara e kishte në posedim”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të Prokurorit të shtetit e dyshuara është duke u intervistuar, ndërsa njësiti i hetimeve janë duke punuar ndriçimin dhe sqarimin e të gjitha rrethanave të rastin.