Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me grabitjen që përfundoi me vrasje në Mitrovicë.
Policia ka bërë me dije se për këtë rast janë arrestuar dy të dyshuar, derisa në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar arma e përdorur në rast dhe dy gëzhoja.
Me vendim të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“Rr. Mbretëresha Teutë, Mitrovicë Jugu, 28.12.2021-22:23. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që gjatë një grabitje në një lokal, njëri prej tyre ka shtënë me armë në drejtim të pronarit të lokalit-viktimës mashkull kosovar. Viktima është dërguar në Spitalin e Mitrovicës ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore ku kanë gjetur dhe konfiskuar armën e përdorur ne rast dhe dy gëzhoja. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion ndërsa, të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovqs.
Ndryshe, një grabitje e armatosur në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë, ka përfunduar me vrasje. I vdekur ka mbetur pronari i lokalit, meqenëse s’ka mundur t’iu mbijetojë plagëve të marra.
Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar zëdhënësja e Spitalit të Mitrovicës, Nita Mustafa-Hakaj.
“Mund të konfirmoj se një person i plagosur, që kishte ardhur për trajtim, ka ndërruar jetë. Meqë tash ka ndodhur e gjithë ngjarja, nuk mund të deklaroj informacione tjera”, ka deklaruar mbrëmë Mustafa-Hakaj.