Revista amerikane Politico ka publikuar një artikull se si “SHBA-të e hëngrën Kosovën” dhe se si Ukraina duhet të marrë shembull prej saj.
Gazetari i njohur amerikan Matthew Karnitschnig, i cili është edhe shef i zyrës gjermane të revistës Politico, ka përmendur projektet e shumta të korporatave amerikane në Kosovë, ndër të tjera edhe ndërtimin e autostradës nga kompania “Bechtel Enka” dhe dënimin me burgim për Ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Pal Lekaj, akuzohet për shpërdorim detyre, për rastin e njohur “53 milionë”.
Politico përmend rastin e vizitës së vëllait të ish-presidentit amerikan George Bush në Kosovë. Doli se Neil Bush nuk dinte shumë për Kosovën, por ai erdhi “për të fituar para si pjesë e një grupi të udhëhequr nga gjenerali në pension Wesley Clark që dëshironte të investonte në sektorin e energjisë të vendit”.
Gjatë viteve, Kosova ka parë një numër të “gjuetarëve amerikanë të fatit”, shkruan Politico.
“Në çdo konflikt në të cilin SHBA ka qenë e përfshirë gjatë dekadës së fundit, nga Iraku në Afganistan e deri në Kosovën e vogël, ekipi i ‘pastrimit’ ka qenë nga SHBA. Megjithatë, me kalimin e kohës, vullneti politik në Uashington për të mbetur i angazhuar në vendet e huaja kanë tendencë të zbehen, sepse biznesi i madh po shtrydh atë që mundet nga prania amerikane”, shkruan Politico.
Artikulli thekson se statistikat e dekadave të fundit tregojnë se “SHBA është më e mirë në zhvillimin e luftërave sesa në atë që vjen më pas”.
Ka edhe shembuj të largimit të amerikanëve nga vendet e tjera që i çliruan, përfshirë Afganistanin.
“Është një nga misteret më të mëdha: si mundet që një vend si Amerika, i cili investon fonde të konsiderueshme dhe kapital politik për ta bërë Kosovën një shtet funksional, ta ‘lëshojë topin’? Amerikanët thjesht e kanë harruar Kosovën”, thuhet në artikull.
Në shkrimin e gazetarit Karnitschnig thuhet se “Ukraina duhet ta shohë Kosovën si shembull”.
“Nëse Kosova është ndonjë udhërrëfyes, ukrainasit duhet të kenë kujdes se çfarë dëshirojnë”, shkruan Politico.