Nëpërmjet një reagimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, gazetari dhe analisti i njohur Xhevdet T. Pozhari e ka cilësuar Komunën e Fushë Kosovës si vatër të krimit dhe korrupsionit, shkruan Kosova Post.
“Në këto zgjedhje e kam një qëllim të vetëm! Të diskutohet sa më shumë për modelin ma të tmerrshëm të menaxhimit të një komune, e ashtuquajtura Komunë e Fushë Kosovës” – ka paralajmëruar ai në fillim të shkrimit.
Sipas tij, “pak rëndësi ka nëse kryetari atje do t’i fitojë zgjedhjet për herën e pestë me radhë, nëse ka ose jo kundërkandidat të denjë.”
Me rëndësi, sipas Pozharit, është që të tregojmë “se sa ne jemi të gatshëm të flasim për krimin urbanistik në këtë komunë. Do të zgjedhim ta themi zëshëm, apo do të mjaftohemi vetëm me sharjet dhe ofshamat kur ndodhemi në kolona të gjata, transit.”
Për më shumë, sipas tij, “Komuna e Fushë Kosovës është shembulli konkret i krimit, korrupsionit dhe dallavereve dhe askush nuk flet! Për më tepër, e përkrahin atë kryetar marionetë të ndërtuesve aq sa të thuhet se do të fitojë pa balotazh!”/KosovaPost/